Lidhje

Shkup - deputetët shtyjnë debatin - 2001-09-01


Deputetët e parlamentit maqedonas e shtynë debatin që duhet të vazhdonin sot mbi planin e paqes të mbështetur nga Perëndimi, plan që synon t’i japë fund konfliktit etnik.

Kryetari i parlamentit, Stojan Andov tha se deputetët nuk do ta vazhdojnë debatin në rast se nuk i jepet fund klimës së provokimeve dhe të terrorit që është e pranishme në disa pjesë të vendit.

Ka njoftime se luftëtarët shqiptarë po i pengojnë refugjatët maqedonas të kthehen në shtëpitë e tyre pranë Tetovës.

Dje, debati lidhur me planin e paqes filloi me vonesë, pasi qindra protestues maqedonas i penguan ligjvënësit të hynin në ndërtesën e parlamentit. Kur më në fund filluan diskutimet, Presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, paralajmëroi se vendi do të përballet me mundësinë e një lufte në shkallë të gjerë në qoftë se parlamenti nuk e ratifikon marrëveshjen e nënshkruar në muajin gusht nga udhëheqësit politikë shqiptarë dhe maqedonas.

Ai tha se marrëveshja nuk është e përsosur por tani për tani është varianti më i mirë për vendin.

Luftëtarët shqiptarë kanë premtuar se do të çarmatosen nëse parlamenti miraton ndryshimet kushtetuese, përfshirë përdorimin më të gjerë të shqipes si gjuhë zyrtare, më shumë kompetenca vet-qeverisëse në zonat ku shqiptarët janë shumicë dhe pjesmarrje më e gjerë e pakicave në qeverisje.

Pritet që ligjvënësit t’i miratojnë reformat megjithë dyshimet e thella brenda shumicës maqedonase lidhur me premtimet e luftëtarëve shqiptarë se ata do tu japin fund luftimeve. Deputetët maqedonas kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj asaj që ata e shohin si trysni të Natos dhe të Bashkimit Evropian për të pranuar kërkesat e UÇK-së.

Debati në parlament filloi dje pas njoftimeve të zyrtarëve të Natos se aleanca kishte përfunduar fazën e parë të misionit të saj duke grumbulluar një të tretën e armëve që luftëtarët shqiptarë kishin rënë dakord të dorëzonin. Synimi i Natos është të grumbullojë gjithsej 3,300 armë. Shumë zyrtarë maqedonas thonë se luftëtarët shqiptarë po dorëzojnë vetëm një pjesë të vogël të arsenalit të tyre.

XS
SM
MD
LG