Lidhje

Pakistan: jo strehim bin Ladenit - 2001-11-18


Zyrtarët pakistanezë thonë se nuk do t’u japin strehim politik udhëheqësit terrorist, Osama bin Laden, dhe udhëheqësit të lëvizjes Taleban, Muhamed Omar.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme, Aziz Ahmed Khan, u tha dje gazetarëve në Islamabad se Konventa e Gjenevës, e cila bën thirrje për mbrojtjen e civilëve gjatë luftës, nuk mund të shfrytëzohet në rastin e bin Ladenit apo të mullahut Omar. Ai tha se një vend mund t’u japë strehim vetëm atyre që i plotësojnë kushtet në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve vendore.

Pakistani është i vetmi vend që ende ka lidhje diplomatike me regjimin taleban.

Zoti Khan e cilësoi si të pa baza njoftimin e një radiostacioni iranian se Osama bin Ladeni ka ikur në Pakistan.

Edhe i dërguari taleban me punë në Pakistan kundërshton njoftimin e radios iraniane dhe thotë se Osama bin Ladeni ndodhet në Afganistan.

Ndërkohë, avionët amerikanë bombarduan dje pozicionet e fundit talebane ndërkohë që udhëheqësit talebanë thonë se do ta mbrojnë bazën e tyre jugore të Kandaharit.

Avionët amerikanë goditën edhe Kunduzin, qyteti i vetëm verior që mbahet nga forcat talebane.

XS
SM
MD
LG