Lidhje

Partitë në Kosovë shqyrtojnë krijimin e koalicinit - 2001-12-04


Megjithëse ishte paralajmëruar për sot(4 dhjetor), një takim ndërmjet kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe atij të Partisë Demokratike Hashim Thaci pritet të mbahet të enjten. Ky takim pason bisedimet e një dite më parë ndërmjet Dr. Rugovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj me c’rast është diskutuar mundësia e krijimit të një qeverie të përbashkët pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë.

LDK-ja ka fituar numrin më të madh të votave në këto zgjedhje por ajo nuk ka marrë numër të mjaftueshëm të vendeve në parlament që do t’I mundësonin qeverisje pa pjesmarrjen e partive të tjera politike. Për këtë arsye kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në mbledhjen e parë të parlamentit partitë po zhvillojnë veprimtari më të dendura në përpjekje për krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë.

Përfaqësues të LDK-së thanë se synojnë të kenë sa më shumë vende në qeverinë e ardhshme, ndonëse do të pranojnë që në qeveri të hyjnë edhe pjestarë të forcave të tjera politike, por kjo sipas tyre do të jetë pjesë e marrëveshjes që do të arrihet ndërmjet vetë partive. Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pohojnë se do të pranojnë një marrëveshje që do të sigurojë një bashkëqeverisje të plotë dhe së kendejmi sipas tyre në debat duhet të futen të gjitha funksionet politike.

Ende nuk është e qartë se si do të mund të duket një marrëveshje e tillë, ndërsa aktorët kryesor nuk kanë bërë ndonjë koment. Duke hedhur firmën në listën e deputetëve të Parlamentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova kryetar I LDK-së nuk pranoi të komentojë rrjedhën e bisedimeve, por u mjaftua me vlerësimin se zgjedhjet e përgjithshme kanë hapur një kaptinë të re në historinë e Kosovës.

Ndërkohë PDK-ja pret në një takim të përbashkët të githa partitë parlamentare shqiptare. Në ftesën e kryetarit të kësaj partie Hashim Thaci thuhet se ky takim do të ishte në funksion të përgatitjes sa më të mirë të mbledhjes së parë të parlamentit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG