Lidhje

Meyers:përparime modeste - 2001-12-09


Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thonë se forcat e aleancës së kryesuar nga Shtetet e Bashkuara po shënojnë përparime modeste në Afganistan në përpjekjet e tyre për të kapur Osama bin Ladenin dhe udhëheqësit e rrjetit terrorist al-Qaida.

Në një intervistë dhënë sot kanalit televiziv Fox, gjenerali i forcave ajrore amerikane Richard Meyers tha se trupat e aleancës po ndeshen me qëndresën e fortë të terroristëve të al-Qaidës që luftojnë për jetë a vdekje në një bazë të tyre në afërsi të Tora Borës.

Gjenerali Meyers, Shef i Shtatmadhorisë amerikane, tha se luftimet për të kapur ose vrarë bin Ladenin mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Gjenerali shtoi se përpjekjet e marinës amerikane për të mos lejuar kalimin e udhëheqësve talebanë dhe atyre të al-Qaidës nga Afganistani jugor për në Pakistan po ecin mirë. Por ai shtoi se është thuajse e pamundur të bllokohet plotësisht kufiri malor që ndan dy vendet.

Ndërkohë në Kabul ndodhet një ekip i OKB-së prej 7 vetash, i cili po përgatit terrenin për dislokimin e një force shumë-kombëshe. Aleanca e Veriut dhe tre fraksione të tjera afgane ranë dakord për dërgimin e forcës në kuadër të marrëveshjes për një qeveri të përkohshme pas-talebane.

XS
SM
MD
LG