Lidhje

UNMIK bën thirrje për kompromis - 2002-01-14


Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara u kanë bërë thirrje sërish sot partive politike vendore që të bien dakord për krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë. Në të kundërtën ata paralajëmruan se UNMIK-u do të vazhdojë të qeverisë vetë Kosovën duke miratuar edhe rregulloret të cilat do të duhej të ishin pjesë e punës së qeverisë së re të krijuar mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit.

Zyrtarët thanë se sfidat që po përcjellin procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës që kanë shkaktuar më shumë probleme se sa që ishte parashikuar, mund të kushtëzojnë zgjatjen e kohës së ndërtimit të institucioneve demokratike. Misioni ka kritikuar partitë politike për mungesë të gatishmërisë për të biseduar së bashku, tha zëdhënësja e UNMIK-ut Susan Manuel për të shtuar se procesi demokratik kërkon dialog të mirëfilltë. “Kjo kërkon poashtu nga partitë politike dhe udhëheqësit e tyre vizione afatgjate me qëllim të arritjes së pushtetit politik dhe kjo dëshmohet me gatishmërinë e tyre për të punuar për të mirën e njerezve. Prandaj Misioni trimëron partitë që të kërkojnë një zgjidhje nëpërmjet dialogut që në qendër do të kishte Kosovën”, tha zonja Manuel.

Ndërkohë Misioni i Kombeve të Bashkuara do të vazhdojë të administrojë Kosovën në tërësi dhe drejtuesit ndërkombëtar të departamenteve të cilat duhet të shndërrohen në ministri të qeverisë së Kosovës, do të vazhdojnë punën e tyre. Nëse vazhdon gjendja e tillë pa president dhe qeveri edhe për disa javë, atëherë departamentet do të miratojnë vetë rreguloret që janë të rëndësishme për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Edhe dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë partitë politike nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje politike dhe kjo ka pamundësuar zgjedhjen e institucioneve të reja vendore. Tri dështime të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka krijuar një situatë të re e cila ka nxitur diplomatët perëndimor që të ndërmarrin nisma të reja për ofrimin e pozicineve të kundërta të partive politike. Pas një takimi të së shtunës në zyrën amerikane këtu besohet se kjo javë mund të shënojë lëvizja të reja në funksion të arritjes së një marrëveshjeje që do të zhbllokonte procesin politik.

XS
SM
MD
LG