Lidhje

Tirana kërkon bashkëpunim në luftën kundër trafiqeve (5 mars) - 2002-03-05


Autoritetet shqiptare i bënë thirrje të martën vendeve ballkanike për një bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër trafiqeve dhe kriminalitetit në rajon.

Drejtuesit më të lartë të parlamentit dhe të qeverisë shqiptare i bënë këto komente sot gjatë një konference të Paktit të Stabilitetit me pjesërrmarjen e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore që po mbahet në Tiranë. Kryetari i Parlamentit Shqiptar, Namik Dokle, tha në fjalën e tij mes të tjerash, se në bashkëpunimin kundër trafiqeve është e nevojshme që parlamentet e rajonit të njëjtësojnë ligjet dhe rrisin bashkëpunimin për ato lloje krimesh që zhvendosen nga njëri vend në tjetrin. Ndërsa, kryeministri Pandeli Majko, duke e marrë fjalën në konferencë tha që sa më i fuqishëm të jetë bashkëpunimi rajonal, aq më të larta do të jenë qetësia dhe siguria e rajonit. “Të çojmë më përpara dhe të forcojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis vendeve të Evropës Juglindore, me qëllim që të transformojmë rajonin në një zonë paqeje, sigurie, stabiliteti dhe bashkëpunimi. Ky bashkëpunim presupozon të përfshijë sigurimin dhe stabilitetin, zhvillimin e ekonomisë dhe bashkëpunimin ambiental, nxitjen e bashkëpunimit humanitar, social dhe kulturor si dhe në bashkëpunimin me fushat e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar, eleminimi i terrorizmit dhe i trafikut illegal të drogës, armëve apo qënieve njerëzore” – tha kryeministri Majko. Komentet e zyrtarëve shqiptarë erdhën një ditë pas raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për të Drejtat e Njeriut ku përfshihet edhe Shqipëria. Opozita tha se e priti me shqetësim raportin e Departamentit të shtetit amerikan për Shqipërinë. Drejtues të PD thanë se edhe opozita kishte denoncuar zhvillimin e kriminalitetit në Shqipëri dhe mosndëshkimin e tij, e për këtë arësye kërkonte edhe shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, z.Arben Rakipit. Nënkryetari i PD, zoti Bamir Topi, tha se Departamenti i Shtetit amerikan ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme situatën e rëndë të kriminalitetit në Shqipëri, duke i shtuar kësaj rradhe edhe rrezikun e pastrimit të parave të pista. -“Është një akuzë që shkon sinkron me vërejtjet dhe akuzat që ka bërë herë pas here opozita në Shqipëri, nuk është një lajm i mirë për Shqëipërinë, por është shenjë e realitetit që ka Departamenti i Shtetit, opinioni publik ndërkombëtar, i institucioneve ndërkombëtare lidhur me këtë trafiqë dhe me pastrimin e parave që së fundi akuza u artikulua nga vetë deputetët e mazhorancës socialiste” – tha Topi. Opozita ka pqaraqitur një mocion mosbesimi në parlament kundër Prokurorit të Përgjithshëm, A.Rakipi,duke e akuzuar për paaftësi, mosveprim dhe politizim të punës së këtij institucioni. Mocioni i mosbesimit ndaj z.Rakipi dhe raporti i Departamentit të Shtetit mbërritën në Tiranë në çastin kur grupimet brenda Partisë Socialiste po rrisin gjithnjë e më shumë tesnionet mes tyre me shkëmbim akuzash për korrupsion, trafiqe, kontrabandë dhe pastrim parash.

XS
SM
MD
LG