Lidhje

Sulmi hakmarrës pritet në Rripin e Gazës - 2002-05-09


Burime në zyrën e kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, thonë se një përgjigje ushtarake izraelite ndaj shpërthimit vetëvrasës të ditës së martë mund të fillojë brenda orësh.

Dje, në një takim të ngutshëm, kabineti izraelit i dha zotit Sharon autoritetin të sulmojë ato që ai i cilëson si objekte terroriste.

Mjetet izraelite të informimit njoftojnë se ka të ngjarë që sulmi të ndërmerret në Rripin e Gazës, ku ka bazën grupi ekstremist Hamas, i cili mori përgjegjësinë për shpërthimin në afërsi të Tel Avivit që shkaktoi vdekjen e 15 izraelitëve.

Pritej që disa anëtarë të kabinetit të kërkonin dëbimine zotit Arafat nga territoret palestineze. Mirëpo, mjetet izraelite të informimit thonë se zoti Sharon nuk e mbështetë një masë të tillë.

Zoti Sharon e ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara për shkak të shpërthimit, i cili ndodhi ndërkohë që ai po zhvillonte bisedime me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë.

Dje, udhëheqësi palestinez, Jaser Arafat, u dha urdhër forcave të tij të sigurimit që të parandalojnë operacionet terroriste kundër civilëve izraelitë.

Zoti Arafat tha në televizionin palestinez se ai është i vendosur të marrë pjesë me Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Ai kërkoi edhe ndihmën ndërkombëtare për riorganizimin e forcave të tij të sigurimit në mënyrë që ato të mund të zbatojnë urdhrat e tij për të luftuar terrorin.

XS
SM
MD
LG