Lidhje

Kosova Juglindore proteston ndryshimin e kufijëve - 2002-05-15


Disa qindra qytetarë shqiptarë protestuan sot në Han të Elezit, vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë për të kundërshtuar ndryshimet e vijës kufitare ndërmjet dy vendeve. Ata u bënë thirrje me këtë rast institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare që të mbrojnë tërësinë tokësore të Kosovës.

Protestuesit që marshuan nga pika kufitare deri në qendër të Hanit të Elezit, bartnin parulla ku kërkohej shfuqizimi i marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Shkupit me të cilën, siq tha zyrtari i kësaj komune Xhemil Ballazhi, është dëmtuar fshati Krivenik i Hanit të Elezit. Ky fshat ishte ishte skenë e ngjarjeve të përgjakshme një vit më parë kur nga predhat e hedhura nga territori i Maqedonisë humbën jetën 3 banorë vendorë dhe një gazetar I agjencisë amerikane të lajmeve AP. Zoti Ballazhi kërkoi sqarimin e këtij incidenti si dhe të ndërhyrjeve të forcave maqedonase në brendi të fshatit, gjithnjë në bazë të marrëveshjes ndërmjet Shkupit dhe Beogradit mbi vijën kufitare të Kosovës. “Të mos bëhen ndryshime kufitare pa pjesmarrjen e autoriteteve vendore të Kosovës. Të krijohet një siguri më e madhe për banorët e fshatit Krivenik dhe të sigurohet hapësira levizëse për tokat e tyre punuese. Sigurimi I kufirit të bëhet në vijën kufitare e jo në afërsi të fshatit…”, tha mes tjerash zyrtari I komunës së Hanit të Elezit.

Protesta kaloi e qetë dhe pa incidente ndërsa në të morrën pjesë edhe banorë të zonave tjera kufitare të prekura nga ndryshimet e kufirit. Rushan Hasani nga fshati Debëlldeh i komunës së Vitisë në Kosovën Lindore tha se banorët e këtij fshati nuk kanë pranuar që të punojnë tokat e tyre të mbetura në Maqedoni me karta identifikimi të caktuara nga një komision i përbsahkët i UNMIK-ut dhe Shkupit zyrtar. “Tela duan me na vënue në qafë. Me u njoftë se jemi pronarë të atyre tokave, gjoja që toka e Debëlldehit po shkon nën Maqedoni. Ajo smund të shkojë kurrë dhe nuk e lejojmë…”

Përfaqësues të UNMIK-ut ndërkaq thanë se marrëveshja për punimin e tokave është arritur pas bisedimeve të gjata me qeverinë maqedonase dhe se kjo kishte për qëllim përmirësimin e situatës së sigurisë në këtë zonë. Cështja e kufirit me Maqedoninë së bashku me atë të qytetit të ndarë të Mitrovicës pritet të shtrohen për diskutim në takimin e radhës të Parlamentit të Kosovës më 23 maj, ndonëse autoritetet ndërkombëtarë në Kosovë kanë pohuar se këto cështje nuk i takon këtij parlamenti, meqë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Kornizës Kushtetuese cështjet e sigurisë janë të drejta të rezrvuara për shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe komandantin e forcave paqërujatëse.

Kjo cështje tash për tash duket të jetë ndër temat më të nxehta në Kosovë e cila ka nxitur kundërshti ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe administratës ndërkombëtare. Kjo e fundit ndërkaq ka hedhur poshtë kërkesën e zëvednëskryeministrit të Serbisë Nebojsha Coviq që autoritetet jugosllave të shënojnë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, duke tërhequr vërejtjen se pala jugosllave mund të marrë pjesë në këtë proces vetëm në rolin e vëzhguesit.

XS
SM
MD
LG