Lidhje

Protestë e gazetarëve - 2002-05-20


Aty ku gazetarët kanë pritur me orë të tëra për të raportuar për debate dhe vendime shumë të rëndësishme që merreshin për të ardhmen e këtij vendi, sot protestuan për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e vetëvetes. Gazetarët shqiptarë dhe maqedonas të veshur me jelekë anti-plumb dhe helmeta në kokë protestuan para qeverisë dhe parlamentit të Maqedonisë, duke u kërkuar autoriteteve të jenë të përgjegjshëm dhe të mbrojnë lirinë e medias.

Shoqata e gazetarëve, e cila organizoi protestën u bëri apel të gjithë gazetarëve që të bojkotojnë aktivitetet e Ministrit të Brendshëm Lube Boshkovski dhe kundërshtoi ashpër presionet e ndryshme kundër gazetarëve. Shoqata tha se në të ardhmen do të injorojë të gjitha paradat dhe stërvitjet amatoreske, siç i quan, në të cilat vihet në rrezik jeta e gazetarëve, fotografëve, kameramanëve dhe në përgjithësi e njerëzve që punojnë në media.

Protesta e sotme u bë pas incidentit të javës së shkuar në fshatin Leunovë të Gostivarit, ku Ministry i Brendshëm Lube Boshkovski, plagosi katër persona, një prej të cilëve gazetarja e gazetës Dnevnik, Daniela Veljanovska, duke qëlluar me mitraloz të rëndë në një stërvitje të njësisë speciale të policisë, Luanët. Gazetari i gazetës Flaka, Daut Dauti, i cili merrte pjesë në protestën e sotme, thotë për Zërin e Amerikës, se ajo është një zë kundër qëndrimit të pushtetit ndaj gazetarëve dhe pasigurisë së tyre.

“Ajo që ndodhi me plagosjen e një gazetare maqedonase, tregon që mund t’i ndodhë më vonë edhe një gazetari shqiptar”.

Katerina Bllazhevska, kryetare e shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, thotë për Zërin e Amerikës, se kryeministri Georgievski, duhet të tregojë përgjegjësi morale dhe politike për incidentin në Leunovë, ndërsa parlamentarët kanë mekanizma ligjore për të zgjidhur këtë problem. Zonja Bllazhevska tha se Ministry i Brendshëm Lube Boshkovski ka përgjegjësi morale dhe politike, ndërsa përgjegjësia penale duhet të vendoset nga gjykatat.

Po sot, punonjësit e administratës publike në Maqedoni nisën një grevë të përgjithshme duke kërkuar paga më të larta. Si rezultat i grevës, sot nuk funksionojnë shkollat, kopshtet, qendrat mjeksore, gjykatat dhe institucionet kulturore. Mjekët punojnë sot vetëm për rastet urgjente ndërkohë që greva pritet të vazhdojë derisa të fillojnë bisedimet me qeverinë për cështjen e pagave.

XS
SM
MD
LG