Lidhje

Nënshkruhet marrëveshja - 2002-05-26


Presidenti Bush dhe 18 udhëheqësit e NATO-s nënshkruan një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin, për krijimin e një Këshilli të ri me pjesëmarrjen e NATO-s dhe Rusisë.

Marrëveshja, e cila u arrit në fillim të muajit, u firmos sot në takimin që u zhvillua në një bazë ajrore në periferi të Romës. Në fjalën që mbajti në takim, presidenti Bush tha se dy ish-armiq janë bërë tani partnerë, duke kapërcyer 50 vjet me mosmarrëveshje dhe një dekadë të mbushur me pasiguri.

Marrëveshja i siguron Moskës një rol të kufizuar në procesin e marrjes së vendimeve për çështje të tilla, si ato të luftës kundër terrorizmit dhe mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Duke iu drejtuar kolegëve të tij në takimin e nivelit të lartë, Presidenti Bush i bëri jehonë asaj që tha një zyrtar i NATO-s se aleanca e re e Rusisë me këtë organizatë shënon funeralin e Luftës së Ftohtë. ”Dy ish- armiq bashkohen tani si partnerë, duke kapërcyer 50 vjet ndarje dhe një dekadë pasigurie”, tha Presidenti Bush. Nga ana e tij, Presidenti rus Vladimir Putin tha se ky është vetëm fillimi i rolit të ri të vendit të tij në një bashkëpunim më të ngushtë me Perëndimin. Këshilli NATO-Rusi do t’i japë Moskës të njëjtin zë si dhe anëtarëve të tjerë të aleancës në hartimin e politikave të përbashkëta, për të luftuar rreziqet e reja të terrorizmit dhe shtimin e armëve biologjike, kimike dhe bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson thotë se Këshilli përfaqëson shpresën për një të ardhme më të mirë dhe normale. Ai tha se shpreson që këshilli jo vetëm të diskutojë por të ndërmarrë veprime vendimtare, sepse sipas fjalëve të tij, ka një armik të përbashkët.

XS
SM
MD
LG