Lidhje

UNMIK-u dhe KFOR-i zyrtarizojnë gradat e oficerëve të TMKsë - 2002-06-13


Statusi i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) do të varet nga statusi politik i saj tha sot në Prishtinë zëvendësi i administratorit të Kosovës Charles Brayshaw. Ai i bëri këto komente në një ceremoni solemne me rastin e zyrtarizimit të gradave të oficerëve të këtyre trupave, grada këto të cilat për herë të parë janë njohur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe forcat paqërujatëse.

TMK-ja u themelua në shtator të vitit 1999 në bazë të një marrëveshjeje për ç’militarizimin dhe transformimim e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishte kurorëzim i një marrëveshjeje të arritur ne qershor të vitit 1999 vetëm pak ditë pas hyrjes së forcave paqëruajtëse në Kosovë. Sipas marrëveshjes, UÇK-ja u shndërrua në një forcë civile për tu përballur me rastet emergjente, mirëpo shqiptarët e Kosovës e shohin atë si bërthamë të ushtrisë së ardhshme të saj.

Por, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk kanë njohur deri tash gradat e oficerëve përvec asaj të komandantit të këtyre trupave gjeneral lejtnant Agim Çekut. Prandaj dita e sotme u vlerësua si ngjarje shumë e rëndësishme për zhvillimin e këtyre trupave që sipas Gjeneral Cekut do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. “Promovimi i një pjestari të minoriteteve në postin e zëvendës komandantit të TMK-së është një fakt shumë domethënës i cili dëshmon edhe njëherë vendosmërinë tonë për të ndërtuar një institucion me vlera të mirëfillta tëbazuar në standardet perëndimore dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha gjeneral Ceku duke shprehur besimin se “ky fakt do të inkurajojë edhe pjestarët tjerë të minoriteteve që të vijnë në TMK për të plotësuar vende që u takojnë dhe për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e TMK-së dhe të Kosovës”. Pjestarët e komunitetit serb kanë bojkotuar TMK-ne duke i cilësuar ato si themel të ushtrisë së ardhshme, ndonëse fillimisht një numër i tyre u ishte bashkangjitur këtyre trupave. Zyrtarzimi i gradave të oficerëve u cilësua si ngjarje e rëndësishme për Kosovën edhe nga zëvendësadministratori i Kosovës Charls Brayshaw. Ai tha se roli i këtij institucioni që ka për qëllim përballjen me katastrofat natyrore dhe situatat tjera emergjente dëshmon gatishmërinë e pjestarëve të këtyre trupave që të përballen me sfida sikurse edhe në periudhën e rezistencës së tyre ndaj një regjimi shtypës. Por ai tërhoqi vërejtjen se ende nuk mund të diskutohet për statusin e ardhshme të këtyre trupave. Zoti Brayshaw tha se “e ardhmja e TMK-së është e lidhur ngusht me casjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj statusit përfundimtar të Kosovës”. Ai nënvizoi se ky status varet nga mënyra se si qytetarët e Kosovës do të realizojnë synimet për ndërtimin institucioneve demokratike, krijimin e një shoqërie shumkulturore dhe respektimin e rendit dhe ligjit. Gjatë disa ditëve të shkuara komandanti i TMK-së gjeneral Agim Ceku dhe shefi i UNMiK-ut Michael Steiner e komandanti i KFOR-it gjenerali Marcel Valentin kanë këmbyer letra në besim në të cilat siq thuhet është diskutuar kërkesa e gjeneralit Ceku që trupat e tij të zëvendësojnë trupat ruse të KFOR-it në dy pika në Kosovën qendrore prej nga ata janë tërhequr për shkak të shkurtimeve që ka bërë armata ruse. Mirëpo zyrtarët e lartë ndërkombëtarë kanë pohuar se Trupat Mbrojtëse edhe më tej duhet tu përmbahen detyrave të përcaktuara me statusin e tyre si një organizatë civile.

XS
SM
MD
LG