Lidhje

Ankesa ndaj politikës së jashtme të administratës amerikane - 2002-07-17


Pjesa më e madhe e kritikave kanë reshtur, por disa demokratë këtu në Shtetet e Bashkuara po fillojnë të vënë në pikëpyetje politikën e jashtme të presidentit Bush. Ata janë të shqetësuar nga një qëndrim që e cilësojnë si tepër partiak. Nga ana e tyre, republikanët vënë në dukje rezultatet e anketave për të theksuar se gëzojnë mbështetjen e vendit.

Kur udhëheqësi i shumicës në senat, Tom Deshëll, bëri disa kritika të vogla lidhur me politikën e jashtme të administratës së presidentit Bush, republikanët vunë në pikëpyetje patriotizmin e tij. Duket se kjo metodë ua pret rrugën kritikave të tilla.

Gazeta Washington Post thotë se disa demokratë kanë filluar tani të ngrenë zërin. Senatori Xhon Keri vë në dukje se politika e jashtme është e shpërqendruar. Leon Fërth, këshilltar për politikën e jashtme i ish-kandidatit demokrat për president, Al Gor, thotë se presidenti Bush e ka tronditur botën me mospërfilljen e tij ndaj opinionit publik. Ai ka krijuar përshtypjen se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin rrugën e tyre, pa pyetur për të tjerët, thotë zoti Fërth.

Kritika të tilla të vonuara janë të natyrshme, thotë dekani i Departamentit të Studimeve Qeveritare Kenedi, Xhozef Naj: ”Pas 11 shtatorit u pa fenomeni i mbështetjes së presidentit, gjë që është tipike për Shtetet e Bashkuara. Në periudha kur ndjehej një lloj kërcënimi kombëtar, uniteti pa dallime partiake forcohet së tepërmi. Si rrjedhojë, administrata e presidentit Bush, mendoj unë, e kaloi shumë lehtë periudhën pas 11 shtatorit deri kohët e fundit.”

Zoti Naj thotë se me kalimin e kohës, demokratët filluan të ngrenë pyetje, veçanërisht në lidhje me prirjen e Shteteve të Bashkuara për të marrë vendime të njëanshme pa përfillur opinionin e miqve apo armiqve. ”Rreziku i kësaj është se do të krijohet përshtypja që Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë mendimin apo përkrahjen e të tjerëve. Kjo ka sjellë kritika të shumta në Evropë dhe Japoni, të cilat janë theksuar edhe në komentet e disa demokratëve këtu në Shtetet e Bashkuara.”

Këto kritika nuk i shqetësojnë republikanët, thotë Geri Shmit, drejtor ekzekutiv i Projektit për Shekullin e Ri Amerikan, organizatë studimore këtu në Washington. ”Republikanët, thotë ai, përgjigjen se vendi më i fuqishëm në botë ka disa përgjegjësi të veçanta dhe nganjëherë duhet të veprojë në mënyrë të njëanshme”.

”Kjo akuzë për njëanshmëri ngrihet zakonisht kundër administratës kur ata nuk pranojnë të nënshkruajnë traktate globale si ai i Kiotos apo traktatin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Administrata është treguar e gatshme për të diskutuar bashkëpunimin tradicional shumëpalësh, në të cilin të përfshihen aleatët tanë.” Zoti Shmit shton se vetë historia e mbështet qëndrimin e administratës. Në fillim të Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, presidenti Heri Truman u kritikua për paraqitjen e thjeshtëzuar të konfliktit. Ai e cilësonte atë si përplasja e lirisë me sistemin totalitar. Nuk ngrihej pyetja se kush është i mirë dhe kush është i keq.

”Historia ka provuar faktin se bota është e ndarë në këtë mënyrë. Mendoj se administrata e presidentit Bush po ecën në drejtimin e duhur duke theksuar dallimin radikal ndërmjet vendeve që mbështesin terrorizmin dhe vendeve të qytetëruara,” thotë Shmit.

Edhe demokratët citojnë zhvillimet historike, si dështimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Vietnam, për të theksuar nevojën për një politikë të jashtme më të matur. Por deri tani analistët pohojnë se pikëpamjet republikane mbizotërojnë.

XS
SM
MD
LG