Lidhje

KFORi shton masat e sigurisë - 2002-08-16


Paqëruajtësit britanik të KFOR-it që kontrollojnë sektorin qendror në Kosovë, bënë të ditur se kanë shtuar masat e sigurisë për shkak të disa kërcënimeve ndaj tyre por pa shpalosur hollësi se për çfarë kërcenimesh bëhet fjalë. Rreth 5 mijë trupa janë urdhëruar që të mbajnë të veshura apo të bartin me vete këmishat antiplumb dhe të vënë helmetat gjatë patrullimeve, në postblloqe por edhe brenda vetë bazave të tyre. Një zëdhënës i këtyre forcave tha se nuk ka pasur ndonjë kërcënim nga njerëz të caktuar që dotë mund të kishin në plan të sulmojnë forcat e KFOR-it, por kërcënimet mund të vijnë nga zhvillimet globale, sikurse edhe nga ato rajonale e vendore”. Paqërujatësit nuk pranuan, të japin shpjegime për natyrën e kërcënimeve.

Ky vendim ka pasuar zhvillimet e fundit në Kosovë pas një serie arrestimesh të pjestarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe arrestimet e së hënës të gjashtë personave nën dyshimin se siç thuhet mund të jenë përgjegjës për veprimtari ekstremiste. Arrestimet si dhe ngritja e disa akuzave ndaj ish pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare ka nxitur protesta në disa qytete të Kosovës.

Njëmbëdhjetë pjestarë të policisë, tre pjestarë të KFOR-it dhe rreth 50 protestues shqiptarë u plagosën dje në komunën e Deçanit në Kosovën perëndimore gjatë trazirave që shpërhtyen në këtë qytet. Forca të mëdha të policisë sot kontrollonin rrugët kryesore të Prishtinës në pritje të protestave të grave kryesisht nga Kosova Perëndimore të cilat vendosën lule para dyerve të burgut Prishtinë në shenjë proteste ndaj arrestimit të pjestarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare. Protesta kaloi e qetë dhe pa ndonjë incident, ndërkaq që disa shoqata të dala nga ish strukturat e Ushtrisë Çlirimtare paralajmëruan protesta të reja për të hënën në Prishtinë. Protesta janë mbajtur sot edhe në pjesën veriore të Mitrovicës ku disa qindra veta kundërshtuan synimet për arrestimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar serb Millan Ivanoviç. Autoritetet kanë lëshuar një urdhërarresti për të nën dyshimin për tentim vrasjeje gjatë trazirave të prillit të këtij viti në këtë pjesë të Kosovës. Por forcat e policisë dhe KFOR-it francez dështuan në perpjekjet për arrestimin e Millan Ivanoviçit, njeriut që vlerësohet si mbështetësi kryesor i formacionit paralel të sigurisë të njohur si “Rojat e Urës”.

XS
SM
MD
LG