Lidhje

Presidenti Bush flet në OKB për Irakun - 2002-09-12


Presidenti Bush tha se një veprim amerikan kundër Irakut është i pashmangshëm nëse rezolutat e Kombeve të Bashkuara për Irakun nuk vihen në zbatim.

Në një fjalim të rëndësishëm që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Kombet e Bashkuara për një rezolutë të re që do të synonte vënien në zbatim të rezolutave të mëparshme të cilat i kërkojnë Irakut të asgjësojë armët e tij të shkatërrimit në masë.

Presidenti renditi shkeljen nga Bagdati të rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtave të njeriut brenda vendit. Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të veprojnë ose përndryshe do të dilnin jashtë loje.

Duke paraqitur argumentet e tij, Presidenti Bush tha se Iraku mund të ndërtojë një armë bërthamore brenda një viti nëse regjimi i Bagdadit arrin të sigurojë materialin radioaktiv.

Presidenti Bush tha se udhëheqësi irakian Saddam Hussein ka dhënë prova se ai i përbuz rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe premtimet e veta. Ai e quajti Irakun një kërcënim të madh dhe në rritje për botën.

Ne, tha Presidenti Bush, nuk mund të rrimë duarkryq ndërkohë që rreziqet shtohen. Ne duhet ti dalim zot sigurimit tonë si dhe të drejtave dhe shpresave të njerëzimit.

Annan: Hapi i parë-kthimi inspektorëve

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, i cili foli pak përpara Presidentit Bush, paraqiti argumente të forta për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shumëanëshme, duke i quajtur përpjekjet për kthimin në Irak të inspektorëve të OKB-së për armët, një hap të parë të domosdoshëm.

Zoti Annan tha se nuk ka alternativë më të mirë se sa legjitimiteti i veçantë, siç u shpreh ai, që siguron Organizata e Kombeve të Bashkuara për zbatimin e ligjit ndërkombëtar.

Ndërkohë, në Bagdad, ministri i jashtëm irakian Naji Sabri tha se Iraku është i gatshëm të pranojë inspektimet e Kombeve të Bashkuara për armët në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, por vendi i tij do të sprapste çdo sulm me çdo mjet të mundshëm, qoftë edhe me thika, shkopinj dhe gurë.

XS
SM
MD
LG