Lidhje

Partia e Ali Ahmetit anullon tubimin zgjedhor - 2002-09-13


Partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit, një nga konkurentet kryesore në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Maqedoni, anulloi mbrëmë për arsye sigurie takimin përfundimtar të fushatës zgjedhore.

Në një deklaratë për mjetet e informimit, zyrtarë të partisë thonë se provokimet e mundshme ndaj mijëra pjesëmarrësve në tubim mund të përmbysin gjithë procesin paqësor bashkë me marrëveshjen e Ohrit.

Ata thonë gjithashtu se në këto momente vendimtare, vendi ndodhet në një gjendje delikate dhe se ka qarqe të errëta që kërkojnë të minojnë zgjedhjet, kështu që ata theksojnë se anullimi i tubimit ishte një vendim i marrë në interes të ruajtjes së paqes dhe qendrueshmërisë.

Ndërkohë në një konferencë për shtyp, që mbajti sot, Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti tha se vendimi për anullimin e tubimit ishte marrë pasi mund të rrezikohej jeta e qytetarëve.

Ai shtoi se paralajmërimet ndaj partisë së tij, nuk kanë baza por bëhen për reklamë politike.

Partia e bëri të qartë se vendimi u mor në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, OKB-në, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe OSBE-në. Burimet zyrtare në Shkup thanë se vendimi i Bashkimit Demokratik për Integrim u mirëprit nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Zyrtarët ndërkombëtarë u bënë thirrje të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Maqedonisë që të ndihmojnë për krjimin e një atmosfere paqësore gjatë zgjedhjeve dhe më pas.//kk

XS
SM
MD
LG