Lidhje

Arrestohen persona që dyshohen te jenë anëtarë të al-Kaidës - 2002-09-19


“Në sajë të përpjekjeve të njerëzve tanë dhe popullit pakistanez,” tha presidenti Bush, kemi kapur njërin prej ideatorëve dhe organizatorëve të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit të kaluar, ku humbën jetën mijra vetë.” Presidenti Bush i referohej kështu terroristit të al-Qaidës, Ramzi Binalshibh. Ai u kap nga autoritetet pakistaneze më 10 shtator në Karaçi dhe tashmë mbahet nën arrest nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu janë arrestuar edhe 7 anëtarë të tjerë të dyshuar të al-Qaidës. Dy të dyshuar të tjerë u vranë gjatë një përleshje të armatosur prej 3 orësh me forcat pakistaneze të sigurimit.

Arrestimet ishin rezultat i bashkëpunimit të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit për gjetjen e terroristëve të al-Qaidës që kapërcyen kufirin për në Pakistan mbas rrëzimit të regjimit taleban në Afganistan. Binalshibh-i, një qytetar jemenas, ishte shok dhome me Mohammed Ata-ën, njëri prej rrëmbyesve, i cili përplasi njërin prej avionëve në kullat binjake në New York. Binalshibh-i besohet se i ndihmoi rrëmbyesit me mjete monetare.

Në një intervistë të tijën me rrjetin televiziv Al-Jazeera, Binalshibh-i e përshkroi veten si njërin prej bashkërenduesve të sulmeve të 11 shtatorit. Ai përshkroi entuziazmin që ai dhe ndihmësit e tij terroristë të al-Qaidës ndjenë ndërsa shikonin shkatërrimin e Qendrës Botërore të Tregtisë dhe vrasjen e mijra njerëzve nga mëse 90 vende të botës. Intervista konfirmoi përgjegjësinë e al-Qaidës për ato sulme. Ata që vazhdojnë të qarkullojnë akuzat e çmendura, se Izraeli apo Shtetet e Bashkuara vetë qëndronin pas sulmeve, duhet ta dëgjojnë me vëmendje intervistën e Binalshibhit.

Një goditje tjetër kundër al-Qaidës është arrestimi kohët e fundit i pesë anëtarëve të dyshuar të një celule jo aktive në shtetin e New Yorkut. Këto lloj celulash janë grupe terroristësh të stërvitur dhe në gadishmëri për të kryer sulme në një vend dhe kohë të caktuar. Të pesë të dyshuarit janë qytetarë amerikanë me origjinë jemenase, të stërvitur në kampet terroriste të al-Qaidës në Afganistan. Një i dyshuar tjetër u arrestua në një shtet të Gjirit Persik. Ai akuzohet se ka siguruar mbështetje materiale për terroristët e al-Qaidës.

Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit po jep frytet e veta. Mbi 90 vende kanë arrestuar apo ndaluar rreth 2 mijë e 4 qind terroristë apo mbështetës të tyre. Siç ka thënë presidneti Bush “ne do ti kapim vrasësit një nga një. Ne jemi të vendosur, të fortë dhe asgjë nuk do të na ndalojë”.

XS
SM
MD
LG