Lidhje

Ndikimi i fitores së AKP-së në përparimin e Turqisë drejt Perëndimit - 2002-11-15


Zgjedhjet e fundit në Turqi u fituan nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e udhëhequr nga ish kryetari i Bashkisë së Stambollit, Recep Tayyip Erdogan. Partia, e cila njihet me shkurtimin AKP, i ka rrënjët në politikën islamiste. Por zoti Erdogan dhe partia e tij paraqitën gjatë fushatës një platformë të moderuar dhe moderne, me premtime se do të vazhdojnë përpjekjet për antarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Bulent Aliriza është drejtor i Projektit Turk në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Ai thotë se faktori kryesor në zgjedhje ishte ekonomia. Votuesit ishin të pakënaqur nga paaftësia e qeverisë së mëparshme për t’i dhënë fund krizës.

“Atyre u dukej se zërat e tyre nuk po dëgjoheshin. AKP-ja bëri përpjekje të vetëdijshme për t’i bindur ata se mund të bënte një punë më të mirë, dhe u shndërrua në mishërimin e shpresave të tyre për të ardhmen,” thotë zoti Aliriza.

Mark Harris, ish-ambasador amerikan në Turqi dhe këshilltar i Programit për Kërkime Turke pranë Institutit të Washingtonit për Politikat në Lindjen e Afërt, thotë se megjithëqë partia AKP ka bazë islamiste, udhëheqësit e saj kanë bërë përpjekje për të zgjeruar dhe ripunuar programin e tyre politik.

“Kjo parti konkuroi dhe fitoi në këtë fushatë mbështetur në një platformë që i përshkruan ata si një parti laike, jo fetare, jo islamiste, si një parti e cila ka përqafuar plotësisht orientimin e Turqisë drejt Perëndimit pas Ataturkut; e cila do të mbështesë vazhdimësinë e qëndrimit në Nato si dhe do të intensifikojë përpjekjet për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian,” thotë zoti Harris.

John Stilides është drejtori ekzekutiv i Qendrës për Politikat Perëndimore. Ai thotë se antarësimi në Bashkimin Evropian është një pikësynim i rëndësishëm i Turqisë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

“Kjo u hap rrugën një numër reformash politike dhe ekonomike në të mirë të sistemit dhe popullit turk. Përveç kësaj, Bashkimi Evropian po e afron Turqinë me Perëndimin, duke e bërë atë një shembull të bashkëjetesës ndërmjet Islamizmit dhe qytetërimit perëndimor,” tha analisti.

Turqia shpreson që gjatë takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Kopenhagë, do të caktohet data e fillimit të negociatave për antarësim. //ad//

XS
SM
MD
LG