Lidhje

Nigeria nuk do ta lejojë vrasjen duke qëlluar me gurë - 2002-11-22


Që nga viti 2000, 12 nga 36 shtetet e Nigerisë kanë vendosur ta zgjerojnë zbatimin e ligjit islamik, ose Sharitin. Ky ligj është zbatuar prej një kohe të gjatë për qytetarët myslimanë në këto shtete. Në bazë të zgjerimit, tani Shariti mbulon edhe rastet penale. Veç kësaj dënimet janë shtuar, duke përfshirë edhe dënime të mundshme me vdekje, duke e qëlluar të dënuarin me gurë, si edhe rrahje me kamzhik dhe gjymtim. Por shumë nigerianë, duke përfshirë edhe shumë udhëheqës të këtij vendi, mendojnë se zbatimi i dënimeve të egra të ligjit islamik, Sharia, shkel kushtetutën e Nigerisë dhe angazhimet e saj ndërkombëtare.

Më 19 gusht një gjykatë e lartë Shariatit, në shtetin nigerian Katsina, hodhi poshtë apelimin e vendimit të Amina Lawal, një grua e dënuar me vdekje me goditje me gurë, nga një gjykatë e ulët Shariatit, nën akuzat për shkelje kurore. Zonja Lawal u dënua në mars, pasi kishte lindur një vajzë më se 9 muaj pasi ishte divorcuar. Burri që ajo thoshte se ishte babai i fëmijës, u nxor i pafajshëm për mungesë provash.

Zbatimi i vendimit ndaj zonjës Lawal është shtyrë për dy vjet, nga një gjykatë Shariti, me qëllim që gjatë kësaj kohe ajo të ushqejë me gji fëmijën e saj. Ndërkohë avokatët e saj thonë se do ta apelojnë çështjen në një gjykatë federale shekullare apeli dhe po të jetë nevoja në Gjykatën e Lartë të Nigerisë.

Vendimi për vrasje me gurë dhe vendime të ngjashme të kohëve të fundit në Nigeri kanë fyer komunitetin ndërkombëtar. Polemika është shtrirë edhe në një nga ngjarjet më të spikatura ndërkombëtare, Miss Bota, që do të organizohet në vendin më të populluar të Afrikës. Disa nga pjesëmarrësit në konkursin e bukurisë, Mis Bota, kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë konkursin, që do të organizohet muajin e ardhshëm në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja, në rast se vendimi për vrasjen me gurë të zonës Lawal nuk përmbyset.

Udhëheqja kombëtare e Nigerisë ka premtuar ta bllokojë ekzekutimin me gurë. Sipas ministrit të Jashtëm të këtij shteti, Dubem Onyia, qeveria e Nigerisë nuk do të qendrojë duar-kryq kur të drejtat e qytetarëve të saj merren nëpër këmbë. Nigeria, tha ai, do të përdorë të drejtën që i jep kushtetuta për të bërë të pavlefshëm çdo vendim negativ që fyen popullin e saj. Ne ritheksojmë se askush nuk do të dënohet me vdekje me gurë në Nigeri.

Shumë vende të botës, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, janë të një mendimi se vrasja me gurë e një personi, është një praktikë e egër dhe mizore, një shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Vetë presidenti i Nigerisë, Olusegun Obasanjo ka thënë se kushtetuta e Nigerisë nuk lejon vrasjen me gurë, gjymtimin, rrahjen me kamzhik, ose dënime të tjera që parashikon ligji islamik. Për këtë arsye njerëzit në Nigeri, si edhe në Shtetet e Bashkuara, Britani, Francë, Suedi e vende të tjera janë shprehur kundër këtij vendimi. Si çdo nigerian, zonja Lawal gëzon të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë e të ndershëm, për drejtësi dhe duhet t’i njihen të drejtat e saj njerëzore, të njohura nga e gjithë bota.//kk//

XS
SM
MD
LG