Lidhje

Presidenti Bush -  mijëra rumunëve: anëtarësimi në Nato - garanci për lirinë - 2002-11-23


Presidenti Bush u largua të shtunën nga Rumania, pasi u tha mijëra vetëve në Bukuresht se anëtarësimi në Nato është një garanci se asnjeri nuk mund t’u mohojë atyre lirinë. Gjatë një fjalimi në Sheshin historik Revolucioni, presidenti Bush tha se ftesa që iu bë këtë javë Rumanisë për t’u anëtarësuar në aleancën perëndimore, është një votëbesim për vazhdimin e reformave politike, ekonomike dhe ushtarake në këtë vend të ish-bllokut sovjetik. Ai ripohoi miqësinë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rumanisë.

Presidenti amerikan lavdëroi rumunët për guximin e tyre që t’i jepnin fund ”dy brezave tiranie” dhe i falenderoi ata që zgjodhën rrugën e tolerancës, demokracisë dhe marrëdhënieve paqësore me vendet fqinje. Presidenti Bush tha se rruga e lirisë nuk është e lehtë, por është e vetmja që ia vlen të merret.

Në një koment që mesa duket i drejtohej diktatorit Saddam Hussein, ai tha se Rumania ka parë me sytë e vet se diktatorët nuk mund të zbuten apo të injorohen, por duhet të luftohen gjithmonë.

Në falën e tij prezantuese, presidenti rumun, Ion Iliesku, tha se ftesa për t’u përfshirë në radhët e Natos është një moment historik që shënon shkëputjen nga e kaluara e vendit dhe një fillim të ri. Ai e falenderoi gjithashtu Presidentin Bush që e bëri realitet ëndrrën dhe idealin për partneritet me Amerikën.

Bukureshti ishte ndalesa e fundit e turneut të delegacionit amerikan në vendet e Evropës Lindore për të kremtuar zgjerimin e Natos. Po të shtunën, presidenti Bush u tha mijëra lituanezëve entuziastë se vendet e reja anëtare të Natos do ta freskonin aleancën me shpirtin e lirisë që sfidoi tiraninë sovjetike.

Rumania, Lituania, si dhe ish-vende të tjera të bllokut sovjetik, Letonia, Estonia, Bullgaria, Sllovenia dhe Sllovakia, u ftuan të anëtarësohen në Nato në vitin 2004. //az//

XS
SM
MD
LG