Lidhje

E ardhmja e fluturimeve në hapësirë - 2003-02-03


Në vështrimin afatshkurtër përpjekjet do të përqendrohen për të gjetur se çfarë ndodhi me anijen Columbia dhe për ta korrigjuar problemin.

Duke folur në një program të rrjetit televiziv, C-B-S, administratori i agjencisë së Hapësirës, Sean O’Keefe, tha se “Ne do të gjejmë se çfarë ndodhi me anijen Columbia. Ua kemi borxh familjeve të anëtarëve të ekuipazhit, që t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, që t’i shqyrtojmë gjërat një nga një dhe të arrijmë në përfundimin se çfarë e shkaktoi këtë tragjedi. Kur të kemi arritur deri këtu ne do ta korrigjojmë difektin dhe do t’u rikthehemi fluturimeve.”

Anëtarë të Kongresit, po ashtu, po premtojnë se programi i fluturimeve në hapësirë do të rimëkëmbet. Senatori demokrat nga Florida, Bill Nelson, që ka fluturuar me anijen Columbia në vitin 1986, tha në një program të rrjetit televiziv, N-B-C se: “Mendoj se dëshira e popullit amerikan është që ne ta vazhdojmë eksplorimin e hapësirës. Shpresoj, vuri në dukje senatori Nelson, që kjo mund të bëhet realitet me një program të fuqishëm që do të na çonte përtej stacionit të hapësirës, në Mars ose përsëri në Hënë. Vendi ynë ka nevojë për një vizion. Programi i hapësirës tregon se si e arrijmë ne këtë vizion. ”

Një tjetër veteran i fluturimeve kozmike, ish-senatori John Glen, tha për rrjetin televiziv, N-B-C se popullit amerikan duhet t’i kujtojmë të mirat e programit amerikan të hapësirës. Përvoja e Amerikës në hapësirë ka përmbajtur gjithmonë në vetvete premtimin për suksese të mëdha dhe për rreziqe të mëdha. Ishte presidenti John Kennedy që përcaktoi rrugën që duhej ndjekur në fillim të viteve 1960.

“Para fundit të dekadës, t’ia arrijmë qëllimit, për të dërguar një njeri në Hënë dhe për ta kthyer atë shëndoshë e mirë në Tokë”, tha presidenti Kennedy.

Ky objektiv u bë realitet në korrik të vitit 1969, kur astronauti Neil Armstrong, duke dalë nga anija e hapësirës Apollo, shkeli në truallin e Hënës dhe të historisë.

“ Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigand për njerëzimin", ishin fjalët e para të astronautit Armstrong duke shkelur sipërfaqen e Hënës.

Menjëherë pas fatkeqësisë që goditi anijen Kolumbia, i takoi një presidenti tjetër të Shteteve të Bashkuara, George W. Bushit, të sigurojë popullin amerikan se eksplorimi i hapësirës do të vazhdojë.

“Njerëzimin e shtyn në mjedisin e errët përtej botës sonë frymëzimi për zbulime dhe dëshira për të kuptuar. Udhëtimi ynë në hapësirë do të vazhdojë", tha presidenti Bush. (ax)

XS
SM
MD
LG