Lidhje

Powell kritikon propozimin e Gjermanisë dhe Francës për të trefishuar numrin e inspektorëve në Irak - 2003-02-09


Sekretari Powell tha gjatë intervistës se nuk e kishte parë të gjithë propozimin për të trefishuar numrin e inspektorëve të armëve, por shtoi se nuk mendon që kjo të jetë një zgjidhje për programin irakian të armëve. Zoti Powell tha se propozimi i Francës dhe Gjermanisë, nuk godit në shenjë.

“Unë nuk mendoj se si hap tjetër ne duhet të shtojmë numrin e inspektorëve që do të çorientoheshin nga irakianët.”

Sekretari Powell vuri në dukje se Franca dhe Gjermania mbështetën rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i jep Irakut një rast të fundit për të provuar se i ka asgjësuar armët e tij të ndaluara, përndryshe e paralajmëron se mund të përballet me ndërhyrje ushtarake. por sipas zotit Powell irakianët përsëri nuk po bashkëpunojnë.

Zoti Powell tha se hapi tjetër i rëndësishëm që duhet të hedhin Kombet e Bashkuara, është të përcaktojnë në se pasojat serioze që parashikon rezoluta janë të përshtatshme.

“Shpresoj që OKB-ja nuk do të arrijë deri aty sa të mos ngrihet në nivelin e përgjegjësive të saj në këto çaste të historisë.”

Sekretari Powell po ashtu kritikoi qendrimin e Belgjikës, Francës e Gjermanisë, që kundërshtojnë planifikimin nga ana e Natos për mbrojtjen e Turqisë në rast të një lufte me Irakun. Zoti Powell tha se mbrojtja e Turqisë nga Natoja duhet të jetë automatike.

“Që tri vende të Natos, të thonë për një vend të katërt të Aleancës ’Ne as që do ta shqyrtojmë këtë çështje kësaj radhe për shkak të një mosmarrëveshjeje që kemi në të vërtetë brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhur me hapat e mëtejshme që do të hedhim,’ mendoj se kjo është e pafalshme për këto vende.”

Ndërkohë në Bagdat kryeinspektorëve të armëve të OKB-së u dhanë dokumente për armët, që ata i cilësuan si të dobishme dhe konkrete. Inspektorët duhet të dalin me një raport tjetër para Këshillit të Sigurimit, këtë javë.//ic//

XS
SM
MD
LG