Lidhje

Berisha: Veprimet e kryeministrit dhe shumicës në pushtet, rënduan situatën politike - 2003-02-19


Kryetari Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha pranoi të mërkurën se ky vit ka filluar me rëndimin e situatës në vend dhe bëri fajtorë për këtë qeverisjen socialiste. Në intervistën që dha të mërkurën për Zërin e Amerikës, ai akuzoi qeverinë për mbrojtjen e krimit të organizuar dhe shtoi se të gjitha trafiqet kalojnë përmes segmenteve shtetërore.

AX: Zoti Berisha, që nga fillimi i këtij viti është vënë re një acarim i ri i marrëdhënieve mes opozitës dhe të majtëve në pushtet. Mbrëmë dhe sot ju keni deklaruar se do të përpiqeni me të gjitha mënyrat për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Fatos Nano. Si duhet kuptuar ky qëndrim? A është kjo një deklaratë politike, apo ju do të ndërmerrni hapa konkretë?

SB:Unë jam dakord me ju se ky vit ka filluar me një rëndim të situatës politike. Shkak për këtë ishte mbrojtja që kryeministri Nano u bëri zgjedhjeve të manipuluara në Elbasan, blerjes publike të votave nga ministrja e qeverisë së tij, çka është provuar katërcipërisht nga prokuroria e shtetit. Ai e cilësoi atë fitore të progresit, në një kohë që ishte fitore e procedurave të mafias qeveritare mbi rregullat e shtetit dhe shtetin ligjor. Ai vazhdoi me pas me emërime të kundërta dhe ofenduese për një shtet. Nuk them se kryeministri duhet të pyesë opozitën për emërimet që janë kompetencë e tij, por është i detyruar që në emër të interesit publik të respektojë kritere të caktuara. Nuk mund të vendoset në krye të doganave një ish-i dënuar për kontrabandë, në krye të trafikut të rrugëve të Shqipërisë njeriu që ka liruar nga burgu Nehat Kullën pesë herë vrasës dhe i pushuar nga puna dy vjet më parë nga qeveria socialiste, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë një fuxhitive, e larguar nga vendi për trafiqe fëmijësh. Ai e arriti kulmin dje me dhunimin e një të drejte kushtetuese të patjetërsueshme të një të katërtës së deputetëve të kuvendit, për të ngritur komisione hetimore për çështje të veçanta. Sipas ligjit, parlamenti është i detyruar, kur mblidhen 35 firma deputetësh, të emërojë komisionin e caktuar. Por mbrojtja që po i bëhet krimit të organizuar përbën një ogur me të vërtet të keq për Shqipërinë. Unë mund të them se si opozitë, gjatë gjithë kësaj periudhe, ne u përpoqëm të kontribuojmë në reformën e institucioneve. Kjo nuk funksionoi pasi (qeveria) eci në drejtim të kundërt. Tani ne i kemi shpallur luftë të hapur krimit të organizuar. Veprimi i djeshëm është dhunim flagrant i opozitës, në një kohë kur organizata terroriste si “Hakmarrja për Drejtësi”, shpallet e pafajshme dhe kryebashkiaku i Tiranës shkatërron qendrën historike dhe i jep asaj territore për të ndërtuar pallate mbi paratë e krimit dhe të drogës që ka së bashku me ta. Po ashtu është prishur sheshi tjetër i Tiranës dhe jepet me 100 mijë dollarë rryshfet sheshi “Italia”. Bashkia e Tiranës ka konsumuar më shumë se 80 për qind të fondit të përgjithshëm të pushtetit lokal në Shqipëri dhe 98 për qind e këtyre prokurimeve nuk botohen në buletinin e qeverisë shqiptare për prokurimet, por bëhen të gjitha sipas oreksit të kryebashkiakut. Pra në kushte të tilla, opozitës i mohohet e drejta e kontrollit mbi shpenzimet, mbi taksat e qytetarëve shqiptarë, çka është një dhunim flagrant i një opozite, të cilës pasi e ndëshkuan duke i marrë mandatet në zgjedhjet e kaluara, tani i mohojnë edhe të drejtat më elementare kushtetuese. Deklarata ime është programore, jo politike.

AX- Zoti Berisha, shumë analistë thonë se ky qëndrim i ri është në thelb fillimi i fushatës elektorale për zgjedhjet vendore. Si ju përgjigjeni këtyre komenteve?

SB: Unë mund të them se nuk është absolutisht e vërtetë, sepse po të ishte për fushatë elektorale ne nuk zgjidhnim krimin e organizuar dhe luftën kundër tij. Kini parasysh se këta qeveritarë që mbrojnë krimin vijnë me banda, disa herë vrasës, ecin me veturat e ministrave, u nxjerrin doganierëve bandat për anijet e tyre. Pra ne po mbajmë këtë qëndrim, sepse krimi i organzuar e ka shndërruar Shqipërinë në delen e zezë të krimit të organizuar në Ballkan. Vetëm dy javë më parë në qendrën Wilson një zyrtar i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, deklaroi se nga Shqipëria eksportohen 2 miliardë dollarë drogë në vit. Unë nuk di shifra, por mund të deklaroj me përgjegjësi të plotë dhe sipas informacioneve që kam edhe nga vendet fqinjë, se e tëra kalon nga segmente shtetërore, jo nga shteti në tërësi, por segmente të shtetit të cilat për qëllime private përdorin trafikun e drogës. Pra unë vlerësoj se jemi në misionin tonë dhe kjo është një kërkesë e shoqërisë shqiptare, një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar ndaj nesh dhe ne po përpiqemi të përfaqësojmë interesat publike të shqiptarëve.

AX: Zoti Berisha, disa javë më parë ju shpallët një nismë për bashkimin e opozitës një pjesë e analistëve thonë se opozita është e çorientuar dhe pa një strategji të qartë. A jeni ju i shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet opozita sot, ndërsa po kërkoni masën më të thellë të luftës politike, pra ndryshimin para kohe të qeverisë?

SB: Unë sigurisht do të doja që opozita të ishte edhe më e bashkuar dhe jam optimist se opozita do të shkojë drejt bashkimit, sepse opozita nuk mbron krimin e organizuar dhe korrupsionin, përkundrazi në vendimet e saj më kryesore është e vendosur të përballet dhëmb për dhëmb me këto dukuri. Natyrisht nuk them se nuk ekzistojnë probleme, ka debate për këtë çështje në gjirin e partive opozitare, por jam i bindur se do të mbizotërojnë rrymat të cilat kërkojnë që opozita të veprojë në unison për zgjidhjen e problemeve madhore të vendit, aq më tepër kur dje me dhunimin e të drejtave të opozitës në parlament është bërë shumë e qartë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka tashmë vetëm një shpresë: opozitën shqiptare dhe mund të them edhe mediat me aq sa mund të bëjnë me denoncimin e këtij revanshi të paparë të krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar. //kk//

XS
SM
MD
LG