Lidhje

Rumsfeld:  ndërhyrja ushtarake  kundër Irakut është e mundëshme edhe pa përdorimin e bazave në Turqi - 2003-02-20


Zoti Rumsfeld nuk tha nëse Turqisë i është vënë ndonjë afat për të vendosur nëse do të lejojë dislokimin e mijra trupave të tjera amerikane për një pushtim të mundëshëm të Irakut. Por Sekretari i Mbrojtjes tha në Pentagon se një sulm i tillë mund të realizohet edhe pa mbështetjen e Turqisë.

"Me sa duket, sa më shumë ndihmë që merr një vend, aq më lehtë është. Dhe sa më pak ndihmë që të marrë ai, aq më e vështirë është. Por megjithatë operacioni kundër Irakut është i realizueshëm dhe gjithmonë ka alternativa të tjera".

Por zoti Rumsfeld theksoi se Turqia është duke bashkëpunuar në patrullimet ajrore të Shteteve të Bashkuara në zonën e ndalim fluturimeve në veri të Irakut. Ai beson se Turqia më në fund do të bashkëpunojë, në qoftë se shpërthen lufta kundër Irakut.

"Turqia ka qënë një aleate dhe mike e ngushtë e NATO-s si edhe e Shteteve të Bashkuara dhe tani po bashkëpunon në Operacionin Vëzhgimi i Veriut. Kam bindjen se në një mënyrë apo në një tjetër, ndoshta në forma të ndryshme, Turqia më në fund do të bashkëpunojë, në qoftë se përdoret forca kundër Irakut".

Ai hodhi gjithashtu poshtë sugjerimet se komentet e tij kritike ndaj vendeve që kundështojnë luftën si Franca dhe Gjermania, e kanë bërë më të vështirë krijimin e mbështetjes për një koalicion më të gjerë kundër Bagradit.

Zoti Rumsfeld e bëri përsëri të qartë se lufta nuk është e pashmangëshme, megjithëse ai tha se durimit po i vjen fundi. Ai tha se Saddam Husseini mund të vendosë që të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara ose ai dhe përkrahësit e tij mund të shkojnë në mërgim, ose udhëheqësi irakian mund të përmbyset.

Por Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se nuk ka kuptim që të lejohet një diktator tjetër që të zëvendësojë Saddam Husseinin. Zoti Rumsfeld ishte i shoqëruar në konferencën e shtypit nga Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Richard Myers. Gjenerali Myers vuri në dukje mbërritjen në Bagdad të rreth 100 vullnetarëve për të shërbyer si mburoja njerëzore.

"Është shkelje e ligjeve të konflikteve të armatosura që të përdoren civilët si mburoja ndaj sulmeve të mundëshme ushtarake, edhe pse këta njerëz kanë dalë vullnetarë për këtë qëllim".

Gjenerali Myers tha se akte të tilla do të trajtohen si krime lufte.//ic//

XS
SM
MD
LG