Lidhje

Shqiperi: Perseri Parlamenti mbi çështjen Rama - 2003-03-10


Socialistët dhe opozita nuk kanë rënë dakort as pas negociatave të sot pasdites, për komisionin hetimor parlamentar. Socialistët janë shprehur dakort për ngritjen e komisionit por kërkuan që hetimi të përfshijë të gjitha institucionet qendrore. Opozita e ka refuzuar këtë propozim duke u shprehur se kjo është një tentativë për të devijuar hetimin e kërkuar prej tyre.

Pas më shumë se tre javë debatesh të ndezura, përplasjesh të hapura, shkëmbimeve të akuzave nga më të rëndat, duket se shumë pak ka ndryshuar në qëndrimet që socialistët dhe opozita kanë ndaj ngritjes së një komisioni hetimor për fondet e përdorura në ministrinë e kulturës dhe Bashkinë e Tiranës, dy institucionet e drejtuara nga zoti Edi Rama në 5 vitet e fundit.

Socialistët sikur i janë afruar idesë së formimit të një komisioni parlamentar, por duke mos pranuar edhe formulimin e ri të bërë nga opozita. Të gjendur përballë vështirësisë për të rrëzuar kategorikisht idenë e komisionit, e cila është e detyrueshme nga kushtetuta, ata janë përqëndruar në objektin e hetimit.

Ditët e lëna për të gjetur një kompromis me opozitën nuk kanë dhënë ndonjë fryt konkret. Kryetarët e të dy grupeve janë takuar vetëm një herë me njëri tjetrin.

Sot socialistët vendosën të votojnë për një formulim tjetër të hartuar prej tyre, i cili përfshin masakrën urbane nga viti 1992, si dhe përdorimin e fondeve publike dhe financimeve po nga viti 1992. Nga ana e saj, opozita nuk ka dhënë ndonjë shenjë nëse do ta pranojë, apo jo këtë propozim të socialistëve.

Të paktën në fillim të mbledhjes së grupit të deputetëve të saj, kryetari Sali Berisha ka përsëritur edhe një herë se mbrojtja e kushtetutës do të vazhdojë të jetë pika e pare e rendit të ditës për opozitën, një deklarim që le të hapur gjithshka. Mbetet të shihet vetëm se çdo të ndodhë sot në seancën e pasdites.

Po sot, parlamenti pritet të votojë edhe për aktin normativ të miratuar dje nga qeveria shqiptare, i cili autorizon pjesëmarrjen e një kompanie komandosh në Gjirin Persik, krah kontingjenteve amerikane dhe aleatëve të tyre, të cilët po përgatiten për një sulm ndaj Irakut.

Qeveria vendosi gjithashtu dhe vënien në dispozicion për këtë rast edhe të hapësirave dhe bazave të saj ajrore, detare dhe tokësore. Është hera e parë që ushtria shqiptare mund të përfshihet në një konflikt të armatosur. Deri tani, njësitë e saj janë angazhuar vetëm në misione paqeruajtëse në Bosnje dhe Afganistan.//lk

XS
SM
MD
LG