Lidhje

Meta: Vrasja e kryeministrit serb, provokon paqen dhe stabilitetin në rajon - 2003-03-12


Qeveria shqiptare e dënoi të mërkurën atentatin ndaj kryeministrit Xhinxhic. Në një telegram ngushëllimi, kryeministri Nano tha se vrasja e zotit Xhinxhic është një atentat i rëndë dhe i pashembullt i forcave regresive që drejtohet jo vetëm kundër demokracisë në Serbi por edhe kundër stabilitetit dhe paqes në rajon. Gjatë muajve te fundit, Shqiperia kishte ndermarre disa hapa për të përmiresuar marrëdheniet me Serbinë dhe dy vendet nënshkruan një sërë marrëveshjesh gjatë vizitës në Beograd të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm shqiptar, zotit Ilir Meta. Zoti Meta, në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehu keqardhjen për humbjen e jetës së zotit Xhinxhiç dhe tha se atentati kriminal dhe terrorist ndaj tij, provokon paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Cili është reagimi juaj për vrasjen e kryeministrit serb dhe çfarë ndikimi do të ketë ky zhvillim për Serbinë dhe për rajonin në përgjithësi?

Zëvendëskryeministri Meta: Ju sapo përmendët edhe reagimin zyrtar të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Mund t’ju them se ne e përjetojmë me një keqardhje të thellë dhe me shumë dhimbje humbjen e jetës së Kryeministrit të Serbisë, zotit Zoran Xhinxhiç, sot gjatë një atentati kriminal dhe terrorist i cili vërtet provokon paqen dhe stabilitetin, si edhe reformat demokratike jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi dihen përpjekjet e zotit Xhinxhiç jo vetëm për përmbysjen e regjimit të Millosheviçit, jo vetëm për futjen e Serbisë në rrugën e demokratizimit, por edhe politika e tij pa paragjykime për të vendosur marrëdhënie të qëndrueshme me vendet fqinje dhe njëkohësisht për të nxitur proceset e integrimit rajonal dhe atij evropian të Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, ju e keni njohur personalisht zotin Xhinxhiç. Sipas mendimit tuaj, ai ishte ai një udhëheqës me një vizion të ndryshëm nga paraardhësit e tij? Sa rol luante nacionalizmi në politikat e tij?

Zëvendëskryeministri Meta: Unë mund të them me bindje të plotë se ishte një kënaqësi e madhe të bisedoje me zotin Xhinxhiç, sepse ishte një politikan realist, pragmatist, me kurajo, pa tabu dhe paragjykime, një politikan reformator, me të cilin mund të bisedoje për çdo gjë, pavarësisht se nuk mund të bije dot dakord për gjithçka. Por e përbashkëta në vizionet e zotit Xhinxhiç dhe në vizionet tona ka qenë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të ndryshonin dhe të pësonin një kthesë historike, e cila t’u shërbente jo vetëm interesave reciproke të dy vendeve, jo vetëm destinacionit të përbashkët, pra Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe për të ndryshuar në përgjithësi historinë e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon që ka qenë dhe mbetet një faktor jetik për stabilitetin afatgjatë të rajonit tonë. Pra ai vërtet ka qenë një politikan dhe mbetet një nga poltikanët më vizionarë dhe më reformatorë të rajonit tonë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se vrasja e zotit Xhinxhiç do të ndikojë në ecurinë e procesit për vendosjen e stabilitetit në Ballkan?

Zëvendëskryeministri Meta: Unë dëshiroj të shpreh bindjen time se tashmë rajoni ynë ka hyrë në një proces të pandalshëm historik të stabilizimit të tij, të emancipimit të tij dhe të integrimit evropian të të gjithë vendeve tona. Në këtë proces historik, dëshiroj të theksoj, se ka një kontribut të veçantë edhe kryeministri i Serbisë, zoti Zoran Xhinxhiç. Mendoj se tashmë themelet e një procesi të tillë historik janë hedhur. Është një humbje për vazhdimësinë e këtij procesi, humbja e jetës së kryeministrit Xhinxhiç, megjithatë pavarësisht nga ndonjë ngadalësim i mundshëm të cilin nuk e dëshirojmë, unë kam bindje të patundur se ky është një proces historik, është një proces që nuk do të mund të ndalet dhe duke vazhduar të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, ne i bëjmë edhe një homazh, veprës dhe përpjekjeve reformatore të kryeministrit Zoran Xhinxhiç.//kk//

XS
SM
MD
LG