Lidhje

"Nju Jorker": Sekretari Ramsfelld nuk i ka marrë parasysh këshillat për planifikimin e luftës - 2003-03-30


Sekretari amerikan i Mbrojtjes mori në mbrojtje strategjinë e luftës kundër Irakut, ndërsa po shtohen kritikat dhe mohoi njoftimet se ai i ka kundërshtuar ushtarakët që janë marrë me planifikimin e operacioneve.

Zoti Ramsfelld tha të djelën në një intervistë për rrjetin televiziv FOX se plani i luftës është i mirë dhe po realizohet me sukses. Ai tha se përfundimi i luftës është i qartë: qeveria e Sadam Huseinit do të mundet dhe do të rrëzohet nga pushteti.

Zoti Rumsfelld i mohoi njoftimet se ai i ka kundërshtuar kërkesat e komandatëve që kërkonin më shumë trupa për fillimin e luftës.

Revista ”Nju Jorker” citonte të djelën në një artikull, zyrtarë të Pentagonit, që nuk pranuan të identifikohen, të cilët kanë thënë se zoti Ramsfelld disa herë i ka kundërshtuar propozimet për të dërguar shumë më tepër trupa dhe pajisje në Gjirin Persik.

Aktualisht, brenda në Irak ndodhen rreth 125 mijë trupa amerikane e britanike dhe rreth 100 mijë të tjera pritet të mbërrijnë deri në fund të muajit prill.

Në artikullin e revistës ”Nju Jorker”, citohet një zyrtar i mbrojtjes i cili është ankuar se Sekretari i Mbrojtjes mendonte se e “njihte gjendjen më mirë dhe, sipas zyrtarit, vendimet janë marrë prej tij në çdo fazë të planifikimit.”

Revista po ashtu shkruan se Sekretari i Mbrojtjes nuk e pranoi propozimin e gjeneralit Tomi Frenks për të shtyrë fillimin e operacioneve ushtarake në Irak, meqë Turqia nuk lejoi dislokimin e trupave amerikane përmes territorit të saj.

Sekretari Ramsfelld dhe gjenerali Frenks kanë thënë se operaconi ushtarak po përparon mirë, megjithë njoftimet se furnizimet për luftën po pakësohen dhe se rezistenca nga ana e forcave irakiane është më e madhe se sa mendohej.

Nga debatet mbi planifikimin e luftës

Zyrtarë të administratës së presidentit Bush po i dalin në mbrojtje strategjisë ushtarake të forcave të koalicionit në Irak, duke fajësuar mediat se po krijojnë përshtypjen se gjërat nuk po shkojnë aq mirë sa ç’e kishte parashikuar Pentagoni. Por analistë të ndryshëm kanë ngritur disa pyetje serioze në lidhje me planifikimin e operacionit “Iraku i Lirë”, të cilave duket se nuk po u jepet përgjigja e duhur.

A i bëri gabim Pentagoni planet e luftës, sidomos kur është fjala për vlerësimin se si do të priteshin forcat e koalicionit kur të hynin në territorin e Irakut? Mos ndoshta ata nuk u vunë veshin paralajmërimeve se sa e fuqishme do të ishte rezistenca që do të bënin forcat paraushtarake irakiane?

Këto janë disa pyetje kritike që u shtruan nga një numër i madh gazetarësh, pas javës së parë të operacinit “Iraku i Lirë”.

Por në një konferencë me gazetarët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfelld këmbënguli se lufta po shkon mirë dhe i quajti disa nga pyetjet e gazetarëve “të pamatura”. Ai tha se do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i trajtuar këto çështje më vonë, pra kur Sadam Huseini të jetë hequr nga pushteti.

“Përgjigjen për këtë çështje, do ta mësojmë paralelisht me operacionet, me çlirimin e pjesëve të Irakut. Në terren, së bashku me trupat ka gazetarë, që kanë rastin të shohin se ç’po ndodh dhe ata do të raportojnë për këto. Prandaj nuk është mirë që të bëjmë spekullime”, tha zoti Ramsfelld.

Por disa zyrtarë të lartë ushtarakë mendojnë se administrata e presidentit Bush, shpresonte, sipas analistëve në mënyrë jo realiste, se trupat e koalicionit do të priteshin me përshëndetje nga turmat dhe se rezistenca e irakianëve do të merrte fund shpejt. Zyrtarë thonë se kjo shpresë bazohej pjesërisht në eksperiencën e trupave amerikane në Luftën e Gjirit Persik të vitit 1991, kur trupat irakiane shpesh mezi prisnin të dorëzoheshin.

Kur është fjala për vlerësimin e ndjenjave të banorëve, zoti Ramsfelld thotë se nuk ekziston koncepti “irakian i thjeshtë”, apo se administrata mendon se gjithë irakianët kanë të njëjtat pikëpamje në lidhje me operacionin e forcave aleate.

“Nuk ka vetëm një irakian. Bëhet fjalë për qëndrimin e individëve të veçantë irakianë, qëndrime të cilat variojnë gjatë gjithë spektrit, që nga miqësore deri në armiqësore”, tha zoti Ramsfelld.

Përsëri, zoti Rumsfeld mendon se forcat e koalicionit më në fund do të mirëpriten, dhe nuk do të kundërshtohen më. Por nga e di ai këtë? Veçanërisht pasi thotë vetë se nuk mund të dihet gjithshka me saktësi, derisa operacioni të marrë fund? Ai thotë se pikëpamja e tij bazohet në kontaktet e kufizuara me irakianët, por nuk dha hollësi.

“Kemi një farë ideje, megjithëse jo për të gjithë, për arseye se nuk po zhvillojmë anketime në Irak. Por them se kemi njohuri relativisht të mira, duke patur parasysh kontaktet e kufizuara që kemi me njerëzit në qytete të ndryshme. Jam i mendimit se qëndrimi i njerëzve ndryshon nga një qytet në tjetrin”, tha zoti Ramsfelld.

Por administrata e presidentit Bush sugjeron se është shtypi ai që po krijon dhe thekson këto probleme imazhi që po ndikojnë për operacionet ushtarake. Zoti Ramsfelld thotë se mbulimi pa pushim i luftës nga shtypi, veçanërisht në televizion, i çorienton njerëzit.

“Në shtyp ne shohim ndryshimin e qëndrimeve nga vlerësime pozitive, në negative dhe pastaj përsëri në skajin e kundërt, nganjëherë brenda një periudhe kohe 24 orëshe”, tha zoti Ramsfelld.

Zoti Ramsfelld thotë se është i mendimit se gjërat do të shihen nën një dritë më pozitive, sidomos nga irakianët, pasi ata ta shohin që forcat e koalicionit nuk kanë për qëllim të pushtojnë vendin e tyre dhe se këto forca do të sjellin ushqime, ujë dhe pajisje të tjera për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që kanë aq nevojë.

Ndoshta ajo që është më e rëndësishme, zoti Rumsfled mendon se një numër i madh irakianësh do të ndihen dhe do të veprojnë ndryshe në lidhje me operacionin, pasi forcat paraushtarake, të cilat ai i quan “skuadronet e vdekjes” dhe të cilat ai i akuzon se i kërcënojnë vazhdimisht njerëzit me pushkën te koka, të jenë eliminuar. //az//

XS
SM
MD
LG