Lidhje

Kosovë: UNMIK-u i vendosur për kalimin e përgjegjësive tek institucionet vendase - 2003-04-05


Zyrtarët e UNMIK-ut në Kosovë, ripohuan të shtunën vendosmërinë e tyre për të kaluar më shumë përgjegjësi tek institucionet e Kosovës.

Komentet e tyre pasuan reagimet e ashpra të përfaqësuesve të serbëve dhe të zëvendëskryeministrit serb Nebojsha Çoviç, të cilët kanë kritikuar shefin e UNMIK-ut Michael Steiner për shkak të refuzimit të tij që të shtyjë fillimin e kalimit të përgjegjësive.

Zoti Steiner u ka thënë zyrtarëve serbë se ky proces do të vazhdojë sipas kërkesave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por përfaqësuesit serbë thanë se është zoti Steiner ai që dëshiron të ndërmarrë hapa të tillë para se të largohet nga Kosova për qëllime personale që u shkojnë për shtat edhe shqiptarëve.

Një zëdhënës i UNMIKU-t tha po të shtunën se qëndrimi i Këshillit të Sigurimit është që kalimi i përgjegjësive të kryhet deri në fund të vitit 2003. Madje ai theksoi se ka patur kritika nga disa ambasadorë të këtij këshilli që mendojnë se është ecur shumë ngadalë në këtë drejtim.

Përfaqësuesit serbë ndërkohë kanë organizuar protesta gjatë javës që po lëmë pas dhe kanë paralajmëruar të tjera për javën e ardhshme në kundërshtim të këtij procesi. Ata shprehin frikën e tyre se siç thuhet Kosova po shkon drejt pavarësisë dhe se për këtë përgjegjësinë do ta ketë UNMIK-u.

Zyrtarët e këtij të fundit thonë se kalimi i përgjegjësive nuk e paragjykon statusin politik të Kosovës dhe është në thelb të misionit dhe në pajtim të plotë me dokumentat ndërkombëtare dhe kornizën kushtetuese të Kosovës.

Ata thonë se nuk do të heqin dorë nga politika e jashtme, siguria dhe të drejtat e pakicave që janë të drejta të rezervuara për shefin e këtij misioni.

Java e ardhshme pritet të shënojë edhe fillimin zyrtarisht të kalimit të përgjegjësive, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë nënvizuar se nuk do të pranojnë asnjë shtyrje të mëtejshme të këtij procesi.//kk//

XS
SM
MD
LG