Lidhje

Ekspertët debatojnë në lidhje me ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak - 2003-04-11


Xhejms Steinberg, drejtori i studimeve për politikën e jashtme në Institutin Brookings thotë se veprimi ushtarak amerikan kundër Irakut mund të justifikohet sepse Iraku i sfidoi në mënyrë flagrante kërkesat e Këshillit të Sigurimit për çarmatim. Por zoti Steinberg thotë se ka rreziqe kur veprohet në mënyrë të njëanshme.

“Nga njëra anë mund të argumentohet se Shtetet e Bashkuara në një farë mënyre kanë krijuar përshtjellim në sistemin ndërkombëtar duke vepruar në mënyrë të njëanshme. Por pyetja që shtrohet është se kush duhet t’i mbronte dhe të vepronte në emër të vetë rezolutave të Këshillit? Nga të dyja anët, ka disa rreziqe që duhet të eliminohen, nëse duhet të mendojmë për alternativa që Shteteve të Bashkuara të mos u duket se janë të vetmet që janë në gjendje të veprojnë dhe si rrjedhim të veprojnë pa marrë në konsideratë se çfarë mendojnë të tjerët”, tha ai.

Zoti Steinberg ishte këshilltar i Presidentit Klinton për politikën e jashtme. Xhesika Methjus, presidente e fondacionit Carnegie për Paqe thotë se ajo do që të shohë se sa i madh do të jetë roli i Kombeve të Bashkuara në rindërtimin e Irakut. Ajo thotë se disa këshilltarë politikë në administratën e Presidentit Bush nuk kanë besim tek Kombet e Bashkuara.

“Ka nga ata që thonë se debati në Këshillin e Sigurimit ishte krejtësisht humbje kohe. Kombet e Bashkuara duhet të jenë vetëm një organizatë gjigante joqeveritare që shpërndan ushqime, ujë dhe batanije. Dhe çdo gjë tjetër e rëndësishme duhet thjesht të bëhet nga Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

Xhejms Steinberg thotë se si administrata e Presidentit Bush, ashtu edhe Kombet e Bashkuara e keqadministruan debatin për Irakun, para luftës.

“Askush nuk është i mbuluar me lavdi në gjithë këtë histori. Nuk vihen në dyshim rreziqet e veprimit të njëanshëm që ndërmori Presidenti Bush. Nga ana tjetër mënyra sesi e ka administruar OKB-ja çarmatimin e Irakut gjatë 12 vjetëve të fundit, nuk i ka shërbyer efektivitetit të Këshillit të Sigurimit”, tha zoti Steinberg.

Shqetësimet për prirjen e Washingtonit për të vepruar i vetëm janë ngritur kryesisht nga vendet me ndikim në rajonet e tyre, përfshirë Rusinë, Kinën, Gjermaninë dhe Francën.

XS
SM
MD
LG