Lidhje

Rusia, Franca, Gjermania duan që OKB-ja të ketë rol qendror në rindërtimin e Irakut - 2003-04-12


Presidenti rus, Vladimir Putin, homologu i tij francez, Zhak Shirak, dhe kancelari gjerman, Gerhard Shrëder thanë Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rol qendror në procesin e rindërtimit të Irakut dhe në përpjekjet për zgjidhjen e të gjitha krizave ndërkombëtare.

Të tre udhëheqësit i dhanë fund takimit të tyre të nivelit të lartë në Shën Petersburg pa bërë ndonjë deklaratë të përbashkët, por thanë më pas në një konferencë ndërkombëtare mbi sigurinë se procedurat e organizatës botërore duhen ndryshuar në mënyrë që në të ardhmen ajo të përballet me krizat brenda një suaze ligjore.

Presidenti Putin tha se sistemi ekzistues i të drejtës ndërkombëtare ka të meta dhe bëri thirrje për një modernizim të plotë të mekanizmave të Kombeve të Bashkuara.

Në një fjalim që mbajti në fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shën Petersburg, Presidenti Putin tha se sikur të krijohen mekanizma të efektshme, problemet komplekse të botës mund të zgjidheshin brenda një suaze ligjore.

Presidenti rus kryesoi të premten bisedimet me presidentin francez, Zhak Shirak, dhe kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder. Bisedimet përfunduan me arritjen e konsensusit se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rol qendror në procesin e rindërtimit të Irakut të pas luftës.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë se forcat e koalicionit do të kryesojnë përpjekjet në këtë drejtim dhe se Kombet e Bashkuara do të marrin pjesë në këtë proces me një rol që ende nuk është përcaktuar.

Zoti Shirak tha se asnjë rend i qendrueshëm ndërkombëtar nuk mund të mbështetet në logjikën e forcës. Të tre udhëheqësit, kundërshtarët më të vendosur të luftës në Irak, lanë gjithashtu të kuptohet se ata mund të jenë të gatshëm të shlyejnë borxhet që Iraku u ka vendeve të tyre. //kk//

XS
SM
MD
LG