Lidhje

Franca bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sanksioneve të OKB-së kundër Irakut - 2003-04-23


Franca po bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Irakut, një propozim i përkrahur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori francez Zhan-Mark dë la Sabier, i tha Këshillit të Sigurimit dje se embargoja 12-vjeçare në tregëti dhe investime kundër Irakut duhet të ndërpritet menjëherë, ndërsa embargoja e armëve duhet të qendrojë në fuqi.

Presidenti Bush thotë se ai gjithashtu beson që sanksionet ndaj Irakut nuk kanë një qëllim të dobishëm.

Ambasadori dë la Sabier propozoi gjithashtu që programi i OKB-së për Irakun ”naftë për ushqime”, gradualisht, duhet të shfuqizohet dhe shprehu dëshirën që Këshilli të marrë në shqyrtim kontrata që kapin shumën e disa miliarda dollarëve ndihma humanitare, të nënshkruara me qeverinë e mëparshme irakiane. Disa prej këtyre kontratave skadojnë pas tri javësh.

Këshilli i Sigurimit debatoi dje lidhur me statusin e programit naftë për ushqime për Irakun, pas përmbysjes së regjimit të Sadam Huseinit.

Në takimin e tij dje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua me drejtorin e programit naftë për ushqime, Benon Sevan, i cili tha se do të përpiqet të vazhdojë për një farë kohe shpërndarjen e ushqimeve shumë të nevojshme, megjithë vështirësitë teknike.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit për këtë muaj, ambasadori i Meksikës, Adolfo Aguilar Zinser, tha se programi naftë për ushqime, i cili përbënte burimin e vetëm të ushqimeve për 60 përqind të irakianëve, nuk mund të ndalohet menjëherë kur afati i këtij programi skadon më 3 qershor.

“Ne nuk mund të ndërpresim programin në datën e skadimit të tij më 3 qershor. Ky program është jetësor për furnizimin me ushqime dhe ilaçe të një pjese të madhe të popullatës irakiane.”

Zoti Aguilar Zinser tha se Meksika ka qarkulluar një projekt-rezolutë, e cila ka për qëllim vazhdimin e programit naftë për ushqime pas afatit të tanishëm, që është 12 maji. Ai shtoi se ekzison mbështetje në Këshillin e Sigurimit që ky program të vazhdohet deri më 3 qershor, kur skadon mandati 6-mujor, për të cilin u ra dakord më parë.

//ze//

XS
SM
MD
LG