Lidhje

Vendet aziatike bien dakord mbi masat për frenimin e përhapjes së SARS-it - 2003-04-26


Ministrat e shëndetësisë të vendeve aziatike ranë dakord mbi masat për frenimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës SARS në një takim në kryeqytetin Kuala Lumpur të Malajzisë.

Ministrat e Shëndetësisë të Azisë Juglindore, Kinës, Hong Kongut, Japonisë dhe Koresë së Jugut vendosën të shtunën që të ketë më shumë kontrolle në aeroporte dhe porte dhe të ndalojnë udhëtarët me simptomat e virusit. Ata vendosën po ashtu që t’u kërkojnë vizitorëve, që vijnë nga vendet e prekura prej sëmundjes, formularë ku të deklarojnë gjendjen shëndetësore.

Ministrat e Shëndetësisë të Organizatës 10 anëtarëshe të vendeve të Azisë Juglindore dhe të Kinës do të diskutojnë përsëri për krizën në një takim të nivelit të lartë javën e ardhshme në Bangkok të Tailandës.

Ndërkohë Kina zëvendësoi ministrin e shëndetësisë mes kritikave se nuk kishte marrë masat e duhura për të përballuar epideminë SARS. Zhang Wenkang dha dorëhqjen sot dhe parlamenti emëroi zëvendës kryeministrin Wu Yi në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë. Kina njoftoi të shtunën për shtatë të vdekur të tjerë nga SARS-i dhe 154 raste të tjera, duke e çuar numrin e vdekjeve nga sëmundja në vend në 122.

Sindroma Akute e Rrugëve të Frymëmarrjes besohet se e ka prejardhjen nga provinca Guangdong në Kinën jugore, ku mendohet se filloi të përhapej në nëntor. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deri tani ka patur 4 mijë e 649 raste SARSI në 26 vende. Organizata thotë se 274 vetë kanë vdekur nga sëmundja, e cila ka shenjat e pneumonisë.//kk//

XS
SM
MD
LG