Lidhje

11 Maji - Dita e Nënave në Shtetet e Bashkuara - 2003-05-11


Më 11 maj, në Shtetet e Bashkuara festohet Dita e Nënës. Një ditë e tillë festohet në shumë vende të tjera të botës, por jo në të njëjtën datë. Disa ekspertë të historisë thonë se kjo festë e ka zanafillën nga festivalet e vjetra në Greqinë e Lashtë dhe në Romë, ndërkohë që në shekullin XVII, në Britani filloi festimi i kësaj dite në mënyrë më moderne.

Shkrimtarja Julia Word Howe ishte e para që bëri propozimin për festimin e Ditës së Nënës në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1872. Ajo tha se këtë ditë duhet festuar për paqen.

Dita e Nënës, filloi për herë të parë të festohet sikurse sot, me gruan e quajtur Anna Jarvis. Në vitin 1907, ajo zhvilloi një ceremoni për të nderuar nënën e saj në një kishë të shtetit të West Virginias. Ajo e zhvilloi këtë ceremoni me rastin e përvjetorit të vdekjes së nënës. Më vonë, ajo vetë dhe shumë të tjerë u shkruan mijëra letra zyrtarëve, ku i kërkonin që e diela e dytë e muajit maj, të shpallej Dita e Nënës.

Presidenti Woodrow Wilson dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara, më në fund ranë dakord për të shpallur Ditën e Nënës në vitin 1914. E diela e dytë e Majit u bë një ditë kur në Shtetet e Bashkuara shprehet publikisht dashuria për nënat. Këtë ditë, njerëzit filluan t’i japin si dhuratë lule, apo çokollata nënave të tyre.

Edhe sot, fëmijët e të gjitha moshave vazhdojnë t’u japin nënave të tyre dhurata të veçanta Ditën e Nënës. Të rriturit udhëtojnë këtë ditë, për të takuar nënat e tyre, të cilat mund të jetojnë larg. Nëse nuk i takojnë dot, ata u dërgojnë nënave kartolina, ku shprehin dashurinë e tyre, ose u dërgojnë lule me postë. Të tjerë i marrin nënat në telefon, për t’u uruar festën. Dita e Nënës është një më të ngarkuarat e vitit për kompanitë telefonike. //az//

XS
SM
MD
LG