Lidhje

Sekretari Pauëll: qeveria e re palestineze duhet të veprojë me vendosmëri për të shpërbërë grupet terroriste - 2003-05-11


Sekretari i Shtetit Kollin Pauëll thotë se qeveria e re palestineze duhet të veprojë me vendosmëri për të shpërbërë grupet terroriste në mënyrë që përpjekjet për paqe të shkojnë para. Zoti Pauëll gjithashtu i kërkoi Izraelit të marrë masa për zbutjen e gjendjes së vështirë të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Korrespondentja jonë Sonja Pace njofton mbi vizitën e Sekretarit Pauëll në Lindjen e Mesme.

Vizita e zotit Pauëll në rajon synon që t’i japë shtysë planit të paqes. Në ndalesën e tij të parë, në Jeruzalem, ai u kërkoi, si Izraelit, ashtu edhe palestinezëve të përfitojnë nga kjo mundësi për të bërë hapa konkretë . Ai foli pozitivisht në lidhje me emërimin e Kryeministrit të ri palestinez, Mahmud Abaz. Sekretari Pauëll tha se palestinezët kanë bërë hapa në drejtim të paqes dhe reformave, por ai shtoi se më shumë nevojitet. ”Ne duhet të shohim gjithashtu veprime të shpejta e të vendosura nga palestinezët për çarmatosjen dhe shpërbërjen e infrastrukturës terroriste. Pa veprime të tilla, përpjekjet tona, sado të fuqishme, do të dështojnë.” Zoti Pauëll tha gjithashtu se përparimi drejt paqes varet edhe nga veprimet e Izraelit. ”Unë dhe Kryeministri Sharon biseduam sot në lidhje me një numër veprimesh të posaçme që Izraeli mund të ndërmarrë menjëherë për përmirësimin e gjendjes në Bregun Perëndimor e Gaza dhe për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi për arritjen e paqes.”

Zoti Sharon nuk përmendi ndonjë hap të veçantë që Izraeli do të ndërmarrë, por një nga këshilltarët e tij u tha disa gazetarëve pas konferencës së shtypit se Izraeli e ka hequr tashmë rrethimin e territoreve palestineze. Ai tha se Izraeli do të zbusë gjithashtu kufizimet ndaj palestinezëve përsa i përket udhëtimit brenda territoreve, do të japë leje të tjera për palestinezët që të kthehen e të punojnë në Izrael, do të lirojë disa të burgosur palestinezë dhe do të zbusë kufizimet ndaj të drejtave palestineze për peshkim në brigjet e Gazës. Zoti Sharon përsëriti shumë nga qendrimet e tij të bëra publike prej kohe. Ai tha se Izraeli ishte i gatshëm për paqe dhe se do të bëjë lëshime të dhimbshme, kur të vijë koha, gjatë bisedimeve zyrtare. Ai përsëriti gjithashtu se është përgjegjësia e palestinezëve për të ndalur terrorizmin. ”Tani nevojiten veprime kundër organizatave terroriste, si Hamasi, Xhihadi Islamik, Fronti Popullor, Fronti Demokratik dhe të gjitha të tjerat, si dhe ato organizata sigurimi që janë përfshirë në terror, shfrytëzojnë terrorin dhe bashkëpunojnë me organizata të tjera terroriste”, tha Kryeministri izraelit, Sharon. Shpërbërja e këtyre organizatave përbën një sfidë të konsiderueshme për qeverinë e zotit Abaz. Shumë prej këtyre grupeve militante kanë marrë forcë gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm të kryengritjes palestineze, Intifadës, dhe ekstremistët shihen shpesh si heronj nga të rinjtë palestinezë. Sekretari Pauëll po u kërkon si izraelitëve, ashtu edhe palestinezëve të fillojnë vënien në jetë të planit të paqes për Lindjen e Mesme dhe ngritjen e një shteti të pavarur palestinez, edhe në qoftë se hapat janë të vegjël. Pas takimit me kryeministrin Sharon, sekretari Pauëll shkoi në qytetin e Xherikos në Bregun perëndimor për t’u takuar me kryeministrin palestinez Mahmud Abaz. Në një konferencë të përbashkët shtypi sekretari Pauëll tha se askush nuk duhet t’i nënvleftësojë sfidat në të ardhmen, por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez. Ai tha se i kishte bërë thirrje kryeministrit Sharon të marrë masa konkrete për të përmirësuar jetesën e palestinezëve. “I theksova kryeministrit Sharon dhe qeverisë së tij, nevojën që Izraeli të bëjë pjesën e tij për të përmirësuar jetesën për palestinezët dhe të tregojë respekt për dinjitetin e tyre.” Zoti Abaz tha se bisedimet me sekretarin e shtetit ishin të thela, serioze dhe pozitive.” //az//

XS
SM
MD
LG