Lidhje

Shqipëri: Gazetarët të shqetësuar për gjendjen e lirisë së shtypit - 2003-05-13


Një grup gazetarësh në Shqipëri botoi të martën një deklaratë ku shprehin shqetësimin e tyre për përpjekjet e qeverisë për të kufizuar lirinë e shtypit dhe për të ndikuar mbi mediat e ndryshme ndërsa po afrohet fushata elektorale. Liria e shtypit dhe shfrytëzimi i tij për qëllime politike dhe elektorale përbëjnë një problem të vjetër për shoqërinë shqiptare. Lidhur me këtë problem, Zëri i Amerikës intervistoi Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar Artur Zhei dhe Kryeredaktorin e gazetës Albania Lutfi Dervishi.

Zëri i Amerikës: Zoti Zhei, deklarata e disa prej emrave më të njohur të shtypit shqiptar bën thirrje për mbrojtjen e lirisë së shtypit. Sipas mendimit tuaj, sa të justifikuara janë shqetësimet që ata shprehën sot në deklaratën e tyre për mungesën e lirisë së shtypit?

Artur Zhei: Unë mendoj që është ushtrimi i demokracisë dhe ushtrimi i së drejtës për të transmetuar shqetësimet e kësaj natyre të cilat janë për mendimin tim në themelin e një sistemi demokratik dhe besoj se në këtë kuadër forca e peticionit, ose e këtij parashtrimi publik që bëjnë analistët dhe gazetarët të cilët kanë nënshtruar këtë peticion është për t’u respektuar dhe për t’u marrë pa dyshim në konsideratë. Mendoj që nga perceptimi im i realitetit pushtet-media, kapital-media, parti politike-media dhe lobet e fuqishme që shpeshherë koagulojnë pushtete të panjohura, apo si të thuash që mbeten gjithmonë në hije, eminencat gri dhe mediat (vazhdoj pra këtë renditje) karakterizohen gjithmonë nga kontraste dhe nga përplasje. Në rastin konkret nuk më duket se ka ndonjë situatë me përmasa kaq radikale, por në të njëjtën kohë mendoj që është më mirë që të shprehen publikisht shqetësime të tilla, sesa të bluhen në heshtje situata të cilat pastaj mund të marrin përmasa dhe rëndime të paparashikuara me konseguenca jo të mira për demokracinë shqiptare në përgjithësi dhe për atë që quhet gjithmonë e më shumë bursa e mediave shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi nga pikëpamja juaj sa serioze janë këto probleme që përmenden në deklaratën që kanë nënshkruar kolegët tuaj?

Lutfi Dervishi: Problemet janë serioze. Mendoj që këtu kemi të bëjmë vetëm me majën e ajzbergut, është një shqetësim i shprehur pak me gjuhën e Ezopit. Diku në deklaratën e redaktorëve dhe gazetarëve përmendet se ka një përpjekje të qeverisë për të krijuar një hendek mes botuesve dhe gazetarëve dhe ky mendoj që është thelbi dhe rreziku më i madh që i kanoset lirisë së shtypit në Shqipëri. Liria e shtypit është e kërcënuar nga disa drejtime: e para është presioni i drejtpërdrejtë nga qeveria, me politikën që ndjekin përmes publikimit të tenderave; e dyta dhe më kryesorja është rreziku që vjen nga botuesit që kanë biznese të tjera përveç medias dhe kanë interesa të drejtpërdrejta me fondet publike; e treta vjen nga mungesa e profesionizmit të gazetarëve dhe së fundi nga organizimi i dobët i gazetarëve në shoqata dhe sindikata.

Zëri i Amerikës: Zoti Zhei, ju drejtoni një prej mediave më të rëndësishme në Shqipëri, që është vënë në shënjestër të sulmeve për njëanshmëri të skajshme në paraqitjen e informacionit. Disa madje ju kanë akuzuar haptazi se po e vini radiotelevizionin publik në shërbim të Kryeministrit Nano. Si iu përgjigjeni këtyre akuzave?

Artur Zhei:Pikësëpari mund të them që nuk mendoj dhe refuzoj absolutisht çdo lloj akuze që lidhet me pasqyrim të njëanshëm të fakteve, protagonistëve dhe aktorëve kryesorë të politikës shqiptare në frekuencat e televizionit publik shqiptar. Për këtë mund të më ndihmojë fare mirë sondazhi më i fundit i KKRT-së (Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit) gjatë muajit prill 2003, ku pikërisht në grafikun e monitoruar nga ata dhe jo nga unë, përsa u përket partive qeverisëse dhe partive opozitare. Partitë qeverisëse kanë rreth 13.4 për qind të kohës televizive, kurse partitë opozitare 15.18 për qind të kësaj kohe. Pra kur bëhet fjalë për elementin partiak, ideologjik, apo për platforma me ngjyra të ndryshme, raporti është në favor të opozitës dhe unë gjendeme shpeshherë në një gërshetim zjarresh që vijnë sa nga e majta, ose sa nga radikalë të çuditshëm të së djathtës. Nga ana tjetër mund të them që ka në të njëjtin sondazh, një protagonizëm të kryeministrit Fatos Nano, por duke menduar që në kulturën e gazetarisë më të përparuar të botës, që mendoj se është ajo anglosaksone, shefat e ekzekutivëve, qofshin këta presidencialë, apo kryeministrorë, siç është rasti respektiv i Presidentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo Presidentit në rastin e Britanisë së Madhe, duke qenë se udhëheqin dhe menaxhojnë besimin e votuesit nga njëra anë dhe nga ana tjetër gjihë buxhetin e taksapaguesit shqiptar, mendoj se gjithë qeveria e Shqipërisë dhe e shefit të saj duhet të ketë maksimumin e ekspozimit ndaj gjykimit dhe së drejtës për të qenë i informuar, të opinionit publik shqiptar. Unë këtë lloj kulture kam mbartur mbi vete dhe këtë kulturë mund të rrezatoj. Normalisht sondazhet janë ato që flasin më shumë, sesa tentativat që në prag të zgjedhjeve apo momenteve të caktuara politike, të bëhen presione me karakter të theksuar subjektiv ndaj Drejtorit të përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik për të akaparuar çdo ditë e më shumë përmes presionit, pra hapërsira artificialisht të padrejta për subjekte të caktuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Dervishi, ju folët për trysninë nga qeveria, nga botuesit e gazetave të ndryshme. Si mund të reagojnë gazetarët në një mjedis të tillë?

Lutfi Dervishi: Duket një situatë që nuk ka zgjidhje të shpejtë. Në Shqipëri aktualisht ka 20 gazeta të përditshme, bëhen rreth 50 stacione televizive dhe po aq edhe radioje. Afërmendsh nuk ka treg për të mbijetuar të gjitha këto organe mediash dhe nga ana tjetër vërehet paradoksi që në vend të tendencës së uljes, vihet re shtimi i numrit të mediave në treg. Një nga arsyet është se disa biznesmenë e kanë gjetur komode që të fillojnë ose të ndërtojnë media të reja, ose të blejnë media të reja dhe në kurriz të mospagimit të taksave, ose bërjes së shantazheve për të fituar tendera me fonde publike. Kur flasim për presionin e qeverisë ai shfaqet në dy forma: njëra është me vizitat e shpeshta të policive tatimore nëpër dyert e redaksive, kur qëllon që këto kanë frymë kritike ndaj qeverisë dhe tjetra është përmes politikës përzgjedhëse të dhënies se tenderave të fondeve publike në organe mediash të preferuara. Dhe kjo sjell si pasojë edhe një si lloj ndarjeje të gazetarëve, ose të organeve të medias. Për shembull: Deklaratës së sotme nuk i kanë dhënë vendin e duhur, mediat të cilat marrin në mënyrë konstante fonde nga qeveria. Rrugëdalja nga kjo situatë nuk është e shpejtë, sepse problemet janë shumë të thella, mungojnë rregullat, ose kushtet elementare të punës së gazetarëve. Gazetarët përgjithësisht janë pa kontrata, pa sigurime, pa kushte minimale, janë të organizuar dobët dhe mungojnë organizimet sindikale dhe reagimi i sotëm është më tepër një reagim spontan i nxitur nga çështjet e ditës sesa ndonjë reagim i menduar mirë, ose me një strategji të qartë se si mund të dalë media shqiptare nga kthetrat e politikës, apo nga kthetrat e botuesve. Bëhet fjalë që ne po na shfaqen botues në Shqipëri që informacionin e konsiderojnë si një mall të zakonshëm dhe janë ata që duhet të vendosin, duhet të dalë, apo nuk duhet të dalë në treg ky informacion. Dhe në anën tjetër ky është një rrezik në kuptimin që nuk kemi një media publike me përvojë, të paanshme dhe të balancuar. Shenjat e tanishme në median private ku vendosin botues që kanë bizenese të tjera, janë me të vërtetë të frikshme.

Artur Zhei: Pikërisht këtë shqetësim që ngriti zoti Dervishi me temën e madhe dhe të rëndësishme që trajtoi sot Komisioni i Mediave, në mënyrë pluraliste përsa i përket të drejtave të gazetarëve për t’u pajisur me kontrata, me sigurime shoqërore, pra të pakërcënueshëm aq shumë nga pronarët e tyre të drejtpërdrejtë, pra televizioni publik shqiptar i dha një hapësirë mbi 10 minuta sintezë të diskutimeve të të gjithë deputetëve, apo analistëve, apo të ftuarve në këtë mbledhje të hapur të Komisionit të Medias ku u vu në qendër pikërisht kjo. Dhe asnjë televizion privat deri tani nuk kam parë ta ketë transmetuar, gjërazi dhe në mënyrë shterruese këtë temë ku fillon realisht dhe me fakte ushtrimi i së drejtës së pavarësisë së medias, tek gazetari i thjeshtë, tek e drejta e tij për të mbajtur një kontratë pune dhe një raport pune, jo në varësi të humoreve të pronarëve, apo bosëve që janë mbas tyre, por në varësi të raportit me publikun të suksesit të audiencës dhe të vërtetësisë që transmetojnë në frekuencat e kanaleve televizive, apo radiofonike ku punojnë, apo në faqet e gazetave ku shkruajnë. Nëqoftëse bëhet një pyetje 360 gradë se a janë të gjithë këta gazetarë, apo këta analistë që flasin të siguruar me sigurime shoqërore, unë them që edhe nënshkruesit e këtyre peticioneve, po t’u bësh këtë pyetje kam përshtypjen që do të përtypen para se të japin një përgjigje të saktë.//kk//

XS
SM
MD
LG