Lidhje

Kongresi amerikan miraton 15 miliardë dollarë për luftën kundër Sidës - 2003-05-16


Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi të premten një ligj, i cili parashikon 15 miliardë dollarë për luftën kundër SIDË-s në vendet e Afrikës dhe Karaibeve.

Ligji i ri do të sigurojë mjekime për njerëzit e infetuar me virusin HIV në Afrikë dhe Karaibe. Ai do t’u vijë në ndihmë fëmijëve, të cilët kanë humbur njërin ose të dy prindërit nga sëmundja dhe do të nxisë programet për parandalimin e sëmundjes, të cilat i ndërgjegjësojnë të rinjtë për rrezikun e marrëdhënieve seksuale pa përdorimin e masave mbrojtëse.

Udhëheqësi republikan i Senatit Bill Frist, i cili diskutoi në lidhje me ligjin të enjten me ambasadorët e 14 vendeve afrikane dhe të Karaibeve, të cilët do të përfitojnë nga këto ndihma, është i vetmi ligjvenës me profesion mjek.

“Ky ligj është në fakt masa e parë e rëndësishme dhe domethënëse, e cila vendos një lidhje mes shëndetit publik dhe kërkimeve shkencore në fushën e SIDË-s. Historia do ta gjykojë këtë ditë, si një hap madhor në përpjekjet për të luftuar një prej sfidave më të mëdha të njerëzimit në shekullin e 21-të”, tha sentori Frist.

Senatori Frist theksoi se SIDA ka shkaktuar vdekjen e 23 milionë njerëzve, ndërsa virusi HIV që shkakton SIDË-n, ka prekur rreth 45 milionë njerëz.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ligjin muajin e kaluar. Ndryshimet në versionin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe versionin e Senatit duhet të zgjidhen para se një projekt-ligj përfundimtar t’i dërgohet për firmë presidentit Bush.

Presidenti, i cili fillimisht propozoi nismën për këtë ndihmë në fjalminin e tij drejtuar vendit në muajin janar, dëshiron ta firmosë atë në ligj, para se të marrë pjesë në takimin e vendeve më të industrializuara dhe Rusisë, që do të zhvillohet në Francë muajin e ardhshëm. Ai shpreson t’i nxisë edhe vendet e tjera që të bëjnë më tepër për luftën kundër SIDË-s.

Demokratët e përshëndetën presidentin se i ka dhënë përparësi kësaj nisme. Por disa ligjvënës të tjerë, midis të cilëve udhëheqësi demokrat i Senatit Tom Deshëll, shtruan pyetjen përse presidenti Bush dhe anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve nuk i kishin mbështetur përpjekjet e mëparshme të ligjvënësve republikanë dhe atyre demokratë në Senat për miratimin e një ligji të rëndësishëm për SIDË-n.

“SIDA dhe virusi HIV që e shkakton atë, përbëjnë krizën më të madhe humanitare. Kjo është një çështje që ka të bëjë me sigurimin kombëtar dhe shëndetin publik, është çështje ekonomike dhe morale. Ne i kemi mjetet për ta luftuar epideminë dhe është detyrimi ynë për t’i përdorur ato”, tha zoti Deshëll.

XS
SM
MD
LG