Lidhje

Shqipëri:  Fillon retorika elektorale - 2003-05-16


Partia Socialiste fillon përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, në valën e kritikave në rritje të opozitës për korrupsion dhe për paaftësi në zgjidhjen e problemeve të vendit.

Kryeministri e kryetari i PS, Fatos Nano, deklaroi sot në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të partisë se qeveria po shënon rezultate në një sërë reformash në ekonomi, procesin zgjedhor, luftën kundër trafiqeve dhe rregullimin e urbanistikës e infrastrukturës, si edhe po jep ndihmesën e vet për paqen në rajon.

Ai tha se qeveria mbylli sot fazën e parë me 70 nene të bisedimeve me Bashkimin Evropian për marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe po punon për plotësimin e kushteve të tjera. Në fushën e rendit, sipas zotit Nano, janë shkatërruar 3 mijë hektarë toka të mbjella me bimë narkotike dhe janë kapur shumë ton prej tyre, mes të cilave edhe 1 ton heroinë. Ai tha se trafiku me gomone nga deti u ndalua plotësisht dhe po ballfaqohen me organet e drejtësisë, krahas personave të tjerë, edhe një numër policësh të përfshirë në trafiqe.

Zoti Nano u bëri thirrje socialistëve për fitoren e zgjedhjeve vendore, të cilat sipas tij, këtë radhë duhet të jenë të pakritikueshme, duke lënë mënjanë konfliktet e brendshme, që nuk kanë alternativa për zhvillim.

“Po gjej më së shumti qejfmbetje fshatareske, sedra të lënduara njerëzish që nuk janë treguar të aftë për të përballuar konkurrencën e hapur, njerëzish që më së shumti kanë qenë dhe mbeten kalimtarë në partinë tonë të madhe, dhe e kanë parë atë si një lopë që jep poste a privilegje të pamerituara. Ne nuk mund ta lejojmë që një gjë e tillë të përsëritet”, tha zoti Nano.

Ndërsa Partia Demokratike e opozitës dënoi ndërhyrjen e djeshme të policisë gjatë tubimit protestues të ish të përndjekurve politikë para selisë së kryeministrisë. Kryetari i saj, Sali Berisha, deklaroi se qeveria ka manipuluar me shifrat, por dëmshpërblimet e kësaj shtrese, sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare, shkojnë sa vetëm një vit trafiqe e kondrabandë të qeveritarëve.

“Është Fatos Nano me rikthimin e tyre në pushtet, që ndërpreu tërësisht procesin e nisur të kompensimit dhe dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë. Është ai që zhvlerësoi në zero lekët e privatizimit e që ua dha pronat publike lukunisë së qeveritarëve dhe zyrtarëve të tij” , tha zoti Berisha.

Ai tha se refuzimi i plotë i dëmshpërblimeve për ta është një akt i rëndë politik me prirje diktatoriale, ndaj atyre njerëzve që kanë fituar me ligj pafajësinë.

Ish të përndjekurit politikë u përplasën dje me forcat e rendit pranë selisë së qeverisë gjatë një tubimi proteste me kërkesa ekonomike. Në fund policia shoqëroi 15 prej tyre.

XS
SM
MD
LG