Lidhje

41 të vrarë dhe të paktën 60 të plagosur në pesë shpërthime në Marok - 2003-05-17


Zyrtarët marokenë thonë se numri i të vdekurve nga vala e shpërthimeve që tronditi dje qytetin e Kazablankës ka arritur në 41.

Pesë shpërthimet që ndodhën pothuajse njëkohësisht dëmtuan një hotel, një qendër të komunitetit hebraik, konsullatën belge dhe një klub social spanjoll.

Shpërthimi që shkaktoi më shumë viktima ishte ai në klubin social Casa De Espana, ku gjetën vdekjen të paktën 15 vetë. Dëshmitarët thonë se tre nga autorët e sulmit hynë dhe shpërthyen lëndët plasëse, pasi i prenë fytin portierit për të hyrë brenda.

Zyrtarët marokenë thonë tani se të gjitha sulmet ishin vetëvrasëse. Ministri i Brendshëm Mustapha Sahel thotë se rreth 10 autorët e shpërthimeve ishin mes të vrarëve.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Marokut thotë se tre persona, të gjithë marokenë u arrestuan në lidhje me sulmet. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por zoti Sahel tha se ato kanë lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.

Ai tha se kishte ngjashmëri me shpërthimet vdekjeprurëse të së hënës në kryeqytetin e Arabinsë Saudite, Riad. Zyrtarët sauditë kanë akuzuar rrjetin terrorist al-Kaida për sulmet që shkaktuan vdekjen e 34 personave në tre komplekse banimi ku jetonin kryesisht shtetas perëndimorë.

//ze//

XS
SM
MD
LG