Lidhje

Sa e njohin amerikanët botën jashtë Shteteve të Bashkuara? - 2003-05-29


Shtrirja e ndikimit amerikan në botë është ndoshta më e gjerë se kurrë më parë në histori. Por sa i kuptojnë amerikanët çështjet globale? Disa kritikë thonë se amerikanët janë të izoluar dhe ndjekin vetëm krizat e ditës dhe jo ngjarjet botërore në vazhdimësi. Sa njohuri kanë shtetasit amerikanë për botën? A ka luajtur media rolin e vet për informimin e amerikanëve mbi botën?

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit që shkaktuan vrasjen e mbi tre mijë njerëzve në New York dhe Washington, miliona amerikanë pyetën veten se si ishte e mundur që të ndodhte një gjë e tillë. Në gjithë vendin dëgjohej pyetja “pse na urrejnë”? Disa vëzhgues menduan në atë kohë se etja e amerikanëve për lajme nga bota do të rritej jashtëzakonisht, ndërsa përpiqeshin të kuptonin se ç’kishte ndodhur.

Por një anketë e zhvilluar nga Qendra e Studimeve Pew pas sulmeve terroriste tregon ashtu si edhe më parë shumica e amerikanëve ndjekin vetëm ngjarjet e mëdha ndërkombëtare. John Doolittle, shkrimtar dhe gazetar thotë se shumë amerikanë kanë njohuri të kufizuara për botën.

“Mendoj se duhet ta kapërcejmë në një farë mënyre izolimin kulturor që ende mbizotëron. Megjithëse disa gjëra po ndryshojnë rrënjësisht, mendoj se amerikanët ende janë të prirë të shohin vetëm ato që ndodhin përreth tyre dhe thonë se kështu duhet të jetë dhe kështu duhet të jenë të gjithë. Një gjë e tillë ngre barriera mes nesh dhe njerëzve në pjesën tjetër të botës”, thotë ai.

Zoti Doolittle shton se megjithëse tani janë më të shumë amerikanët që udhëtojnë dhe jetojnë jashtë vendit, më pak se çereku i shtetasve amerikanë kanë pasaporta.

Në sondazhin e qendrës Pew vihet gjithashtu në dukje se që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, janë më të paktë të rinjtë amerikanë që ndjekin çdo lloj lajmi.

Matt Catapano, analist në televizionin MTV shpjegon se të rinjtë u janë kthyer burimeve jotradicionale të lajmeve, sepse ka rënë besimi për lajmet dhe të rinjtë janë në dijeni të luftës së mediave, përfshirë konkurrencën për audiencën.

Brian Brooks, zëvendës dekan i Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Missourit, thotë se emisionet televizive me të ftuar për ngjarjet e ditës, një burim tjetër nga mund të merret informacioni, përmbajnë më shumë komente, sesa fakte.

“Në këto emisione, drejtuesit japin më shumë mendimin e tyre dhe ky është maskim i lajmeve. Ata pretendojnë se pasqyrojnë ngjarjet botërore, por në të vërtetë pjesa më e madhe janë komentet e tyre. Nuk besoj se publiku e ka të qartë dallimin mes lajmeve të vërteta dhe këtyre pseudolajmeve”, thotë ai.

Zoti Brooks thotë se përveç kësaj shumë stacione televizive kanë pakësuar zyrat e tyre jashtë vendit, që pasqyronin ngjarje ndërkombëtare. Por Joseph Campbell, profesor i gazetarisë në Universitetin Amerikan nuk mendon se media amerikane nuk jep lajme të mjaftueshme ndërkombëtare.

“Amerikanët e kuptojnë rëndësinë e ndjekjes së lajmeve ndërkombëtare. I ndjekin apo jo, kjo është çështje tjetër, por lajmet njoftohen. Të pesta gazetat më të mëdha të vendit i kushtojnë një vëmendje të konsiderueshme lajmeve ndërkombëtare dhe me internetin zgjerohen edhe më shumë mundësitë për të marrë informacione të plota dhe të shpejta”, thotë ai.

Por profesor Campbell shton se gazetarët nuk mund t’i detyrojnë njerëzit që të ndjekin lajme ndërkombëtare.

Kështu pyetja mbetet se çfarë mund të bëhet që të nxiten amerikanët, veçanërisht të rinjtë që të mësojnë më shumë për botën? Zoti Brooks thotë se një mënyrë do të ishte që të dërgoheshin më shumë amerikanë jashtë vendit dhe shton se shumë studentë për shembull bëjnë një semestër të shkollës në vende të tjera. Ai shton se duhet që më shumë amerikanë ta kuptojnë sesi është pjesa tjetër e botës. //kk//

XS
SM
MD
LG