Lidhje

Franca do ta trefishojë kontributin e saj në luftën kundër Sidës - 2003-06-02


Presidenti francez, Zhak Shirak, i cili drejton takimin e këtij viti të nivelit të lartë të tetëshes, tha se vendi i tij do ta trefishojë në gati 180 milion dollarë në vit kontributin në një fond global për luftën kundër Sidës. Madje ai e cilësoi si historike një nismë amerikane për të dhënë 15 miliardë dollarë gjatë 5 vjetëve të ardhshëm për të luftuar këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Zoti Shirak dhe presidenti Bush, të cilët patën mendime krejt të kundërta lidhur me luftën në Irak, po tregohen të sjellshëm ndaj njeri tjetrit, megjithëse tensionet e mbetura nga lufta ende ndjehen.

Dy presidentët buzëqeshën dhe shtrënguan duart, ndërsa u takuan për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Irak. Dhe kur u pyetën në një konferencë shtypi në se marrëdhëniet e tyre ishin dëmtuar si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi luftën, zoti Sharak paralajmëroi gazetarët që të mos besojnë çdo gjë që dëgjojnë. Ai shtoi se takimi i tij i shkurtër me zotin Bush ishte shumë pozitiv.

Megjithatë diplomatët në Evian thonë se përçarjet si pasojë e luftës në Irak mund të mbulohen gjatë takimit të nivelit të lartë të tetëshes, por ato nuk do të sheshohen në një të ardhme të afërt. Ata thanë se asnjëra qeveri nuk pranon të njohë vlefshmërinë e qëndrimit të qeverisë tjetër lidhur me luftën.

Megjithatë, zoti Shirak përshëndeti nismën e zotit Bush mbi Sidën dhe tha se presidenti amerikan kishte krejtësisht të drejtë kur u bëri thirrje vendeve të tjera të tetëshes që ta mbështesin këtë nismë me kontributet e tyre. Ai tha se përveç Francës, ai shpresonte që vendet anëtare të Bashkimit Evropian të bashkohen në takimin e tyre të nivelit të lartë këtë muaj në Greqi dhe ti përgjigjen si duhet thirrjes së Shteteve të Bashkuara.

Zoti Shirak vendosi që dita e parë e takimit të tetëshes ti kushtohej çështjeve të zhvillimit, si varfëria dhe sëmundja, prandaj ai ftoi në Evian udhëheqësit e disa vendeve të botës së tretë që të informojnë udhëheqësit e tetëshes se si i shikojnë ata këto çështje.

Njëri prej këtyre udhëheqësve, presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, propozoi që të taksohet tregëtia e armëve për të krijuar një fond, i cili do të ushqente të uriturit e botës.

Zoti Shirak, duke folur nëpërmjet përkthyesit, tha se është në favor të studimit të këtij propozimi.

“Mendoj se ndoshta taksimi i shitjes së armëve do të ishte plotësisht i justifikueshëm. Jam dakord që të bëhet studimi i këtij propozimi dhe tani për tani zoti da Silva kaq po kërkon, që ne të studjojmë një taksë të tillë.”

Presidenti Shirak tha se mbështet idenë e vazhdimit të dialogut të zgjeruar në takimet e nivelit të lartë të tetëshes në të ardhmen. Ai shfaqi shpresën se presidenti Bush do tu kërkojë udhëheqësve të vendeve në zhvillim që të marrin pjesë në takimin e tetëshes vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara.

//ze//

XS
SM
MD
LG