Lidhje

Në kinematë amerikane fillon shfaqja e filmit “Për të gjetur Nimon” - 2003-06-06


Studioja Pixar Animation ka arritur një sukses të ri me filmin e saj “Për të gjetur Nimon” që u shfaq për herë të parë për publikun e gjerë amerikan fund-javën e kaluar. Subjekti i filmit këtë radhë shpaloset në brezin koralor të Australisë, ku personazhe të ndryshme nënujore përpiqen të gjejnë Nimon, një peshk të vogël që është kapur dhe mbahet në akuariumin e një dentisti. Krijuesit shprehen të çuditur nga suksesi i filmit, i cili nuk u përngjet krijimeve të tjera të kompanisë Pixar që dallohen nga batutat e shumta. Këtë radhë, shpjegojnë ata, kishin përpara një projekt shumë më të madh nga ana teknike, pasi u duhej të krijonin një botë të tërë nënujore me kompiuter, dhe të transmetonin shumë më tepër emocione dhe atmosferë se në filmat e mëparshëm. Ndërkohë konkurenca për filmin Finding Nemo pritet të forcohet javët e ardhshme kur të shfaqen në kinema titujt e shumëpritur “2 Fast, 2 Furious,” “The Hulk,” dhe “Charlies’ Angels - Full Throttle.”

Aktorë të Hollivudit si dhe emra të mirënjohur të botës së modës morën pjesë në ceremoninë e çmimeve të modës që u zhvillua të hënën, më 2 qershor, në New York. Aktorja Rene Zellweger ishte veshur me një fustan ngjyrë kremi të dizenjatores Carolina Herrera. Ndërsa prezantuesja e ceremonisë, Sarah Jessica Parker kishte zgjedhur për këtë natë një fustan ngjyrë rozë të dizenjatorit Oscar de la Renta. Teatri Apollo në New York, i njohur si skena e talentit amator, ku shumë artistë të famshëm janë shfaqur për herë të parë para publikut të gjerë, këtë javë mirëpriti emra legjendarë të muzikës botërore. Eric Clapton, Willie Nelson dhe B.B. King u mblodhën për një koncert të muzikës blues. Kongresi amerikan e ka shpallur 2003-shin, si Vitin e Muzikës Blues. Fitimet e nxjerra nga koncerti do të përdoren për të mbështetur programet mësimore që ofron organizata jo fitimprurëse Xhaz në Qendrën Linkoln. //ad//

XS
SM
MD
LG