Lidhje

Një këshill i ri i përkohshëm qeverisës për Irakun u mblodh sot për herë të parë në Bagdat - 2003-07-13


Një këshill i ri i përkohshëm qeverisës për Irakun, i cili përfaqëson grupe të ndryshme fetare dhe etnike, u mblodh sot për herë të parë në Bagdat.

Masa e parë që u ndërmor nga ky këshill me 25 anëtarë ishte të deklaronte datën 9 prill- festë kombëtare, për të shënuar ditën kur Sadam Huseini ishte rrëzuar nga pushteti. Anëtari i këshillit, Mohamed Bahr al-Uloum e bëri të ditur vendimin, duke thënë se grupi ka pezulluar gjithashtu të gjitha festat që kanë lidhje me qeverinë e mëparshme.

Zoti Al-Uloum, një klerik i sektit shi’it, tha se Këshilli Qeverisës premton të punojë për ringjalljen e ekonomisë, përmirësimin e sigurisë dhe rivendosjen e shërbimeve publike. Këshilli pritet të fillojë punën edhe për një kushtetutë të re para zgjedhjeve të përgjithshme.

Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Irak, Sergio Vieira de Mello e cilësoi takimin e sotëm si hapin e parë drejt kthimit të sovranitetit për popullin irakian.

Njoftohet se këshilli përbëhet nga 13 shi’itë dhe pesë myslimanë suni, një i krishterë, pesë kurdë dhe një turkmen. Pakica suni mbizotëronte në qeverinë e mëparshme irakiane të sadam Huseinit.

Administratori amerikan në Bagdat, Paul Bremmer, thotë se këshilli qeverisës ka pushtetin të emërojë ministra të rinj dhe do të punojë me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak mbi politikat dhe buxhetin. Zoti Bremmer do të ketë autoritetin për të rrëzuar vendime të këshillit.

XS
SM
MD
LG