Lidhje

Kalifornezët po shtrëngohen të mendojnë se si duhet ta përdorin ujin e tyre - 2003-07-19


Kalifornezët po shtrëngohen të mendojnë se si duhet ta përdorin ujin e tyre, ndërkohë që rezervat e kufizuara të ujit përballojnë me vështirësi shtimin e popullsisë në një nga rajonet më të thata të Shteteve të Bashkuara.

Përpunimi i ujërave të zeza, është punë e pakëndshme por e domosdoshme. Por impianti për riclikimin e ujërave të zeza ka njëfarë ndryshimi. Në qendër të luginës San Fernando Valley, ujërat e përdorura nga shtëpitë dhe fabrikat, riclikohet për të krijuar një ambient me bukuri natyrore.

Autoritetet federale e kanë reduktuar tashmë sasinë e ujit që merr rajoni i mësipërm nga Lumi Kolorado, pasi shtetet fqinje u ankuan se kalifornezët po përdornin një sasi më të madhe uji nga sa u takonte me të drejtë. Rezervat do të kufizohen gjithashtu edhe nga Kalifornia qendrore.

Por riciklimi i ujërave të përdorura po ndihmon për t’i plotësuar këto mungesa. Së pari ujërat e zeza pastrohen me kimikate, filtra dhe me bakterie që ndihmojnë në eliminimin e mbeturinave që përmban uji. Pas një procesi me tri faza, uji del i pastër.

Në Liqenin e Kafshëve të Egra, uji ka krijuar një tempull për shpendë dhe kafshë: dallëndyshe, pata, rosa dhe bile kojota. Liqeni Balboa është një qendër çlodhjeje popullore për njerëz. Ky rajon ka shtigje të qeta për eskursione në këmbë.

Por kontrasti më i theksuar me pellgjet plot shtjella nga uji i impiantit vihet re në kopshtin Japonez, një mjedis i qetë natyror për të ecur e për të medituar.

I vendosur pranë impiantit, kopshti me dy hektarë e gjysmë sipërfaqe, ka shtigje plot kthesa, një liqen, përrenj e ujëvara dhe skulptura japoneze në gurë. Aty ka edhe një lokal çaji japonez, që është i vendosur në një banesë të rikrijuar të ngjashme me atë të një samurai të shekullit të 14-të.

Dhjetë mijë njerëz e vizitojnë këtë vend çdo vit. Të shtunave aty bëhen martesa, për të cilat të interesuarit duhet të zënë radhën një vit më parë. Kopshti ka shërbyer si sfond për xhirimin e filmave me taktika luftarake aziatike.

Uji i nxjerrë nga ky impiant nuk përdoret për të pirë.

//ze//

XS
SM
MD
LG