Lidhje

Në 20 vjetet e fundit shtohet energjia e prodhuar nga era - 2003-07-20


Energjia e prodhuar nga era është një nga teknologjitë me rritje më të shpejtë në botë. Shoqata Evropiane e energjisë së erës thotë se në 6 vitet e fundit kemi pasur një rritje prej 30 përqind të energjisë së prodhuar nga era.

Gjithashtu ka pasur edhe një rënie të madhe të kostos. Sipas Institutit të Tokës këtu në Washington, çmimi i energjisë së prodhuar nga era është 4 cent për kilovat orë, ose një e dhjeta e çmimit të para 20 vjetëve. Ky çmim e bën këtë lloj energjie konkurrente me energjinë e prodhuar nga qymyrguri dhe gazi natyror. Deri në vitin 2020, pritet që çmimi të ulët përgjysëm.

Një studim i botuar kohët e fundit në revistën Studime Gjeofizike thekson se era është më e bollshme dhe më e sigurtë se sa mendohej. Profesori Mark Jacobson i Univerzitetit të Stanfordit dhe një koleg i tij bënë matjen e erërave në qindra zona në një lartësi prej 80 metrash, lartësia tipike e një turbine të madhe. Duke përdorur një metodë më të saktë për matjen e shpejtësisë, ata arritën në përfundimin se era ishte dy metra në sekondë më e shpejtë se sa mendohej më parë.

“Në 24 përqind të siperfaqes së Shteteve të Bashkuara ka erëra me forcë të mjaftueshme dhe nëse do të vendoseshin turbina në këto vende, energjia e prodhuar do të bënte të mundur zëvendësimin e energjisë nga qymyrguri dhe gazi natyror. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ngrohja globale është një çështje serioze.”

Mirëpo a është era mjaft e fortë për të prodhuar energji edhe në vende të tjera? Studimi i zotit Jacobson zbuloi gjithashtu se vendosja e disa turbinave, deri në 8 prej tyre, në një sipërfaqe prej 200-300 kilometrash, mund të siguronte erërave të vazhdueshme.

“Edhe po të ketë më pak errëra në një stacion turbine, se sa në stacionet e tjera, vendosja e këtyre turbinave afër njera tjetrës krijon më shumë energji në të gjitha stacionet së bashku.”

Shoqata tregëtare e furnizusve amerikanë të energjetikës, Edison Electric Institute, thotë se studimi zhduk shqetësimet se era është me intervale dhe e pasigurtë. Megjithatë, zëdhënësi i institutit Edison, Jim Owen, nuk pajtohet me zotin Jacobson se energjia e erës do të mund të zëvendsonte atë të qymyrgurit dhe gazit natyror.

“Stacionet ku vendosen turbinat zakonisht janë në vende jo të populluara. Problemi është se energjia duhet transferuar nga vendi ku prodhohet në zonat ku ajo nevojitet për përdorim. Ky transferim fatkeqsisht kushton shumë. Pra të mendosh se energjia e qymyrgurit dhe e gazit natyror do të zëvëndësohet nga energjia e erës nuk është diçka realiste.”

Sidoqoftë, edhe pse ka mendime të ndryshme rreth efektshmërisë së energjisë së prodhuar nga era, mbetet për tu parë se sa kohë do të duhet që kjo energji të përpunohet e të prodhohet më shumë. Shoqata amerikane e energjisë së errërave thekson se kjo do të varet nga vendimet që do të marrin politikanët gjatë viteve të ardhshme.

//ze//

XS
SM
MD
LG