Lidhje

Konfirmohet vrasja e djemve të Sadam Huseinit - 2003-07-22


Komandanti i koalicionit amerikan në Irak tha dje se djemtë e Sadam Huseinit, Udei dhe Kusei ishin vrarë. Të shtënat e armëve kërcitën nëpër rrugët e Bagdadit dje vonë me sa duket në reagim të vrasjes së djemve të Sadam Huseinit, Udei dhe Kusei, që u njoftuan nga një gjeneral i lartë amerikan.

Gjeneral-lejtnanti i ushtrisë amerikane, Ricardo Sançez, tha se dy djemtë e Sadamit ishin mes 4 personave, të cilët u vranë në një betejë të ashpër, që zgjati 6 orë, në qytetin Mosul të Irakut verior.

“Ne kemi përdorur burime të ndryshme për të identifikuar individët e vrarë. Ata kundërshtuan të arrestoheshin, ata kundërshtuan përpjekjet e forcave të koalicionit që t’i arrestonin ata dhe u vranë nga të shtënat që pasuan dhe gjatë sulmeve kundër banesës.”

Gjenerali Sançez tha se trupat amerikane të divizonit të 101 të Forcave amerikane, pasi morën informatën e një irakiani, përdorën raketa dhe armë për të vërshuar në një vilë, ku mendohej se po takoheshin zyrtarë të lartë të partisë Baath. Gjenerali Sançez tha se operacionet për kërkimin e Sadam Huseinit vazhdojnë.

“Ne vazhdojmë të mbetemi të përqëndruar në gjetjen, vrasjen ose kapjen e të gjithë anëtarëve me rëndësi në listën e të kërkuarve.”

Gjenerali Sançez tha se trupat e dy djemve të Sadam Huseinit ishin në gjendje për t’u identifikuar edhe para se të bëhen analizat e ADN-së, të cilat tashmë kanë filluar.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Bush kishte mbetur i kënaqur kur mësoi rreth operacionit të sukseshëm ushtarak kundër dy djemve të Sadam Huseinit. Reagimi fillestar i Shtëpisë së Bardhë nuk ishte i bujshëm dhe u bë në formën e një deklarate të shkurtër me shkrim.

U duk qartë se ky ishte një lajm i mirëpritur nga Shtëpia e Bardhë. Por presidenti Bush dhe ndihmësit e tij vendosën tia linin Pentagonit të gjithë meritën e këtij operacioni të sukshëm dhe njoftimin e hollësive rreth ngjarrjeve të fundit.

Disa orë pasi një gjeneral amerikan tha se Udei dhe Kusei ishin vrarë, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë vetëm me një paragraf.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se dy vëllezërit Husein ishin përgjegjës për krime të pafunda të kryera kundër popullit irakian dhe nuk mund të lënë më një hije urrejtjeje mbi Irak, siç u shpreh ai.

Presidenti Bush nuk është parë në publik që kur u bë i ditur ky njoftim. Ai u informua lidhur me operacionin ushtarak në qytetin irakian të Mosulit nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nëpërmjet 2 telefonatave.

Ishte shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Andrew Card, i cili iu përgjigj telefonatës së parë nga Pentagoni, i cili konfirmoi vdekjen e Udeit dhe Kuseit. Zëdhënësi McClellan tha se kur iu dha ky njoftim presidenti uroi trupat amerikane dhe agjentitë e zbulimit, që morën pjesë në këtë operacion.

//ze//

XS
SM
MD
LG