Lidhje

Presidenti Bush shpreh angazhimin  për paqen në Lindjen e Mesme - 2003-07-25


Presidenti Bush thotë se ai dhe Kryeministri palestinez, Mahmud Abaz, kanë të njëjtin objektiv të përbashkët për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve që të jetojnë në dy shtete të lira e sigurta.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me kryeministrin Abaz, Presidenti Bush e quajti terrorin pengesën më të madhe për paqe dhe tha se duhet zhdukur. Ai tha gjithashtu se duhet përmirësuar jeta e palestinezëve dhe njoftoi krijimin e një Ekipi të Përbashkët për zhvillim ekonomik palestinez.

Grupi do të përpiqet të krijojë vende pune, të sjellë rritje ekonomike e investime për palestinezët. Kryeminsitri Abaz tha se e ndjen që presidenti Bush po i trajton të gjitha problemet që ai kishte shtruar dhe se do t’i diskutojë me Kryeministrin izraelit, Ariel Sharon, javën e ardhshme gjatë vizitës së këtij të fundit në Washington.

Presidenti Bush thotë se zoti Abaz dhe Kryeministri izraelit Ariel Sharon po bëjnë përparime drejt procesit të paqes dhe se beson se së bashku, të dy ata, mund t’i sjellin rajonit një të ardhme të ndritur.

“Kjo është koha e mundësisë për Lindjen e Mesme dhe banorët e rajonit po u besojnë udhëheqësve shfrytëzimin e shanseve për paqe e përparim. Shumë vjet dhe jetë njerëzish kanë shkuar dëm për shkak të zemërimit dhe dhunës”.

Kryeminsitri Abaz i bëri thirrje Izraelit të lirojë të burgosur të tjerë, të heqë izolimin ndaj udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat, dhe të ndalë ndërtimin e kolonive izraelite në territoret e pushtuara.

Presidenti Bush thotë se një mur i lartë sigurimi që po ngre Izraeli përmes Bregut Perëndimor është problem dhe ai do ta diskutojë këtë të martën me Kryeministrin Sharon kur të takohen në Washington.

Presidenti e falenderoi zotin Sharon për ndërmarrjen e hapave për të lehtësuar shqetësimet palestineze, përfshirë lirimin e më shumë të burgosurve, heqjen e postblloqeve të tjerë dhe kalimin e përgjegjësive të sigurimit për dy qytetet të tjerë në Bregun Perëndimor palestinezëve.//kk//

XS
SM
MD
LG