Lidhje

Fundi i një regjimi - 2003-07-25


Vrasja e djemve të Sadam Huseinit tregon qartë se diktatura që terrorizoi Irakun për aq shumë vjet është shkatërruar. Kështu u shpreh presidenti Bush, duke folur lidhur me vrasjen e Uday dhe Qusay Huseinit, më 22 korrik, gjatë luftimeve me forcat e koalicionit në qytetin Mosul.

“Djemtë e Sadam Huseinit ishin përgjegjës për torturimin, gjymtimin dhe vrasjen e irakianëve të panumërt. Tani, më shumë se kurrë, të gjithë irakianët mund ta kenë të qartë se regjimi i dikurshëm ka marrë fund dhe nuk ka për t’u kthyer më.”

Presidenti Bush tha se disa persona besnikë të regjimit të Sadam Huseinit, vazhdojnë përpjekjet për destabilizimin e Irakut.“Këta vrasës, theksoi zoti Bush, janë armiq të popullit irakian. Ata veprojnë kryesisht në pak rajone të vendit. Por kudo që ata veprojnë, ata janë duke u ndjekur nga forcat tona dhe do të asgjësohen.” Ndërkohë, vuri në dukje presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të koalicionit, janë të vendosur të ndihmojnë për të ndërtuar një Irak të lirë, të pavarur e demokratik.

“Një Irak i lirë, demokratik e paqësor nuk do të na kërcënojë ne dhe miqt tanë me armë të paligjshme. Një Irak i lirë nuk do të shërbejë si kamp stërvitjeje për terroristë e as nuk do t’u japë terroristëve para e armë, që ata me shumë dëshirë do t’i përdornin për të goditur vendin tonë ose aleatët tanë. Një Irak i lirë nuk do të destabilizojë Lindjen e Mesme. Një Irak i lirë mund të shërbejë si një shembull shpresëdhënës për gjithë rajonin dhe t’i inkurajojë vendet e tjera që të zgjedhin rrugën e lirisë.”

“Ne kemi bërë përparim të vazhdueshëm për t’i rikthyer shpresat një vendi që për dekada ka vuajtur nën peshën e tiranisë”, tha zoti Bush. Dhe koalicioni i udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, shtoi presidenti, e ka mbajtur fjalën.

“Ne dhe partnerët tanë e mbajtën fjalën për të hequr diktatorin dhe rrezikun që ai përbënte, jo vetëm për populliin irakian, por edhe për botën. Ne po ashtu e mbajtëm premtimin tonë për të shkatërruar çdo mbeturinë të atij regjimi dhe për ta ndihmuar popullin irakian që ta qeverisë vetë vendin e tij në liri.”

Rindërtimi i Irakut do të kërkojë një angazhim të vazhdueshëm, tha presidenti Bush. Ne po i përmbahemi këtij angazhimi. //kk//

XS
SM
MD
LG