Lidhje

KOSOVË: Vritet në rrethana të pasqaruara një pjestar I policisë së Kombeve të Bashkuara - 2003-08-04


Një pjestar i policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është vrarë mbrëmë në rrethana të pasqaruara, në një fshat të Kosovës veriore. Zyrtarët e policisë, thanë se polici, po udhëtonte në rrugën ndërmjet Mitrovicës dhe komunës së Leposaviqit, përkatësisht në fshatin Lumi i Cerajës, kur një apo më shumë persona, kanë shtënë me armë zjarri mbi automjetin e tij, me ç’rast ai është qëllua për vdekje. Tash për tash, nuk dihen motivet e dhe as autorët e kësaj vrasjeje, që sipas policisë, besohet se është kryer me armë snajperike. Komisioneri i policisë së Kombeve të Bashkuara, Stefan Voeller, e ka cilësuar këtë, “si sulm të qëllimshëm nga qyqarë që synonin vrasjen e policit”. Zyrtarët nuk kanë dashur të bëjnë të ditur identitetin e të vrarit, por, jozyrtarisht, mësohet se ai ishte polic nga India. Policia ka mbyllur rrugën Mitrovicë – Leposaviq dhe po vazhdon hetimet intensive. Kosova veriore është zonë e banuar me shumicë serbe dhe me disa fshatra të pakta me shumicë shqiptare. Vrasja e pjestarit të policisë është dënuar ashpër edhe nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve dhe partive politike, të cilët e kanë cilësuar atë si goditje ndaj përpjekjeve për vendosjen e sigurisë në Kosovë.

Presidenti Rugova takohet me shefin e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave

Vendosja e sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë, është cilësuar ndërkaq si kusht edhe për zgjidhjen e cështjes së Kosovës, në një takim që presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, zhvilloi në Prishtinë me shefin e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave, Garret Evans. Presidenti tha se shefin e kësaj organizate të pavarur, e ka njoftuar me përparimin e arritur në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe synimet e institucioneve të saj. “Gjithsesi unë insistoj që Kosova të njihet sa më parë si vend i pavarur, i integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të qetësonte rajonin tonë, këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksoi presidenti Rugova.

Ndërkaq, zoti Evans tha se në Kosovë është shënuar mjaft sukses drejt normalizimit të gjendjes, por ende ka punë për të bërë që, paqja, qëndrueshmëria dhe siguria të kthehen në Kosovë dhe në rajon. “Lëvizja drejt bisedimeve rreth statusit politik, nuk duhet të shtyhet edhe për shumë kohë, tha zoti Evans, duke shtuar se për të lëvizuar drejt kësaj cështjeje duhet të plotësohen disa kushte. Në radhë të parë, duhet të vendosen institucionet e vetëqeverisjes me përgjegjësi të plota, theksoi ai, duke I bërë thirrje administratës ndërkombëtare, që të ketë më shumë besim tek institucionet vendore. Me këtë, tha ai, do të shmangej mundësia që politikanët të fajësojnë gjithkë, përvec vetvetes, për të gjitha gjërat që nuk shkojnë mirë. Cështje tjetër që duhet të ndodhë, është që të ketë ndryshime sa më të mëdha psikologjike në funksion të njohjes së të drejtave të pakicave dhe kthimit të tyre. //ss//

XS
SM
MD
LG