Lidhje

Intervistë me Kryeadministratorin e Kosovës, Harri Holkeri - 2003-08-11


Administratori i ri i Kosovës, Harri Holkeri u takua të premten në Uashington me Sekretarin e Shtetit Kolin Pauell. Sekretari Pauell e siguroi zotin Holkeri se misioni i tij në Kosovë për të krijuar një shoqëri demokratike dhe shumë etnike do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Zoti Holkeri pritet të mbërrijë në Kosovë për një vizitë të shkurtër në fund të javës. Pas takimit me Sekretarin e Shtetit, ish kryeministri i Finlandës i dha një intervistë korrespondentit tonë Arben Xhixho mbi sfidat që e presin në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Holkeri ju sapo keni dalë nga takimi me Sekretarin e Shtetit Kolin Pauell. A morrët mbështetjen që synonit nga Uashingtoni për misionin tuaj?

Harri Holkeri: Vizita ime këtu është e rëndësishme meqë në detyrën time të re do të kem nevojë për bashkëpunim dhe bashkërendim të mirë me të gjitha palët e përfshira. Dhe meqë prania amerikane në Kosovë është e rëndësishme shfrytëzova rastin të takohem me Sekretarin Pauell dhe ndihmësit e tij, si dhe me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë. Zhvilluam diskutime shumë pozitive.

Zëri i Amerikës: Ju po shkoni në Kosovë në një moment kyç. Cilat do të jenë përparësitë e administratës tuaj?

Harri Holkeri: Natyrisht në Kosovë ka shume sfida që duhen përballuar në të njejtën kohë. Por një nga detyrat e mia kryesore është të përpiqem të ndërmjetësoj dhe, në se mund të shprehem kështu, të krijoj një besim më të madh midis banorëve të Kosovës. Unë do të doja të punoja, që të gjitha palët e përfshira, të afrohen me njera tjetrën dhe të gjejnë një mënyrë, për një jetë më të mirë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Administrata e mëparshme që ju po zëvendësoni filloi procesin e transferimit të kompetencave tek zyrtarët vendas. Por duket se ky proces është bllokuar për shkak të ndryshimit të administratave. A mendoni se afati i dhjetorit është ende realist për të përfunduar procesin?

Harri Holkeri: E kam të vështirë të jap ndonjë datë, ndonjë afat. Ne të gjithë po punojmë për një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Marrëdhëniet e UNMIK-ut me udhëheqësit shqiptarë duket se po pësojnë disa acarime. Kërkesat e shqiptarëve jo gjithmonë do të përputhen me planet që keni ju. Si keni ndërmend t’i zgjidhni mospërputhjet midis kërkesave të shqiptarëve dhe planeve tuaja?

Harri Holkeri: Së pari më duhet të dëgjoj kërkesat e tyre, mendimet e tyre dhe më pas të punoj me ta. Unë mendoj se jam në një pozicion që më krijon si avantazhe, por edhe disavantazhe. Unë nuk jam një ekspert. Nuk kam qënë ndonjëherë në Kosovë. Pra si të thuash, jam i pafajshëm dhe mund të filloj si një njeri i paanshëm. Ky ndoshta është mjeti im më i mirë. Dhe ky do të jetë edhe synimi im, të ruaj paanësinë.

Zëri i Amerikës: Administratat e OKB-së nga vetë natyra e tyre janë të komplikuara dhe madje edhe të vonuara në reagime. Ka kritikë që thonë se për një pjesë të zyrtarëve ndërkombëtarë jetesa aty është bërë shumë e rehatshme. Çfarë planesh keni ju për të mos e lejuar administratën e UNMIK-ut të bllokohet nga burokracia?

Harri Holkeri: Mbetet për t’u parë se si është gjendja atje. Disa kritika i kam dëgjuar, por nga ana tjetër unë jam përgjegjës për një organizatë të madhe dhe së pari dua të shoh se si punon kjo organizatë para se të shpreh ndonjë mendim.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët në Kosovë kërkojnë pavarësi. Qëndrimi i deritanishëm i komunitetit ndërkombëtar është standarte para statusit. Cili është komenti juaj?

Harri Holkeri: Për momentin nuk kam ndonjë koment, pasi, më duhet të përsëris atë që thashë më lart. Në fillim më duhet të kem informacionin e duhur para se të jap ndonjë mendim.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundi çfarë mesazhi keni për banorët e Kosovës para mbërritjes atje?

Harri Holkeri: Ne të gjithë jemi qënie njerëzore dhe duhet të jetojmë në paqe. Kjo është rruga e vetme. Dhuna sjell gjithmonë dhunë. Zgjidhjet politike janë gjithmonë të mundura dhe ato arrihen me bisedime.

Zëri i Amerikës: Zoti Holkeri faleminderit dhe paçi fat në detyrën tuaj.

Harri Holkeri: Për atë kam nevojë.

XS
SM
MD
LG