Lidhje

SHBA dhe gjykatat ushtarake - 2003-08-11


Autoritetet amerikane përgatiten të përdorin gjykatat ushtarake për të gjykuar rastet e personave të akuzuar për terrorizëm.

Gjykata të tilla nuk janë përdorur që prej dekadash dhe disa ekspertë po shprehin shqetësimin se rregullat në bazë të të cilave veprojnë ato, mund të dëmtojnë sistemin e përgjithshëm të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, ngritja e gjykatave ushtarake për gjykimin e këtyre rasteve përputhet me dispozitat e kushtetutës amerikane. Grupe të ndryshëm juristësh në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar administratës që të zbutë disa nga rregullat e gjyqeve të ardhëshme ushtarake ndaj elementëve të akuzuar si terroristë, megjithëse zyrtarët e Pentagonit thonë se qëllimi i këtyre rregullave është që gjykimet të jenë sa më të drejta por gjithnjë duke mbrojtur njëkohësisht informacionin që lidhet me sigurimin kombëtar.

Një konferencë e organizuar të premten nga Instituti i respektuar American Enterprize në Uashington përbën në fakt herën e parë që në Shtetet e Bashkuara zhvillohet një debat i tillë për çështjen se çfarë raportesh duhet të ketë midis gjykimit të personave të akuzuar për vepra terroriste dhe mbrojtjes së interesit kombëtar.

Që nga viti 2001, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza për terrorizëm kundër disa personave, rreth 700 njerëz të tjerë ndërkaq mbahen në bazën detare amerikane të Guantanamos në Kubë dhe ndaj tyre nuk janë ngritur akuza. Presidenti Bush ka caktuar 6 prej tyre për të dalë para gjykatave ushtarake.

Gjykatat ushtarake nuk janë përdorur në Shtetet e Bashkuara qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Pas 11 shtatorit 2001, Presidenti Bush vendosi ngritjen e komisioneve ushtarake për gjykimin e personave të akuzuar për terrorizëm.

Gjykatat ushtarake janë të ngjashme me ato civile, por të akuzuarit kanë më pak të drejta. Për shembull, megjithëse të akuzuarit kanë të drejtën për të patur avokat mbrojtës, madje pa pagesë, bisedat midis tyre dhe avokatit mund të vëzhgohen për arësye sigurie.

William Haynes, është zyrtari kryesor juridik i Departamentit të Mbrojtjes. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara janë në gjendje konflikti, prandaj përdorimi i komisioneve ushtarake dhe kufizimet që vënë këto lloj gjykatash janë plotësisht të justifikuara.

”Armiqtë me të cilët vendi përballet sot, luftohen me anë të grumbullimit të informacioneve sekrete. Mirëpo në rast se këta njerëz do të gjykoheshin nga gjykatat civile, këto informacione sekrete do të zbuloheshin. Qeveria, thotë ai, nuk mund t’i tregojë këto informacione apo mënyrat se si janë mbledhur ato.”

Zyrtari i Pentagonit thotë se megjithatë, gjykatat ushtarake duhet të jenë të drejta. Ashtu si në gjykatat civile, avokatët duhet të kenë të drejtën për të kontestuar provat.

Ndërkaq, autoritetet amerikane kanë premtuar se gjykatat ushtarake do të jenë transparente në veprimtarinë e tyre. Procesi ndaj të pandehurve do të botohet në Internet, por natyrisht me aq sa mund të lejojnë kufizimet, pra pa nxjerrë sekretin.

Ngritja e komisioneve ushtarake për gjykimin e të akuzuarve për terrorizëm është e lejuar nga kushtetuta dhe juristët që diskutuan në konferencën e organizuar nga Instituti konservator American Enterprise nuk e vunë në diskutim nëse gjykata të tilla duhet të ngrihen apo jo.

Çështja shtrohej te kufizimet që do të venë këto gjykata, sidomos në raportet midis avokatit dhe klientit.

Morton Halperin, ekspert i njohur i politikës së jashtëme amerikane, thotë se lidhur me këto kufizime ka shumë rëndësi që të kërkohet autorizimi i Kongresit.

”Me veprimet tona, thotë eksperti, ne jo vetëm që duhet të bëjmë drejtësi, por edhe që bota të besojë se ne vërtet po bëjmë drejtësi. Çështja është, thotë ai, te mesazhi që i dërgohet botës, sepse shumë njerëz jashtë Amerikës nuk e besojnë se këto gjykata do të jenë të drejta. Aq më tepër, në të kaluarën Shtetet e Bashkuara i kanë këshilluar vendet e tjera që të mos përdorin gjykatat ushtarake, ndërsa tani po i përdorin vetë ato,” thotë zoti Halperin.

Pentagoni ende nuk ka caktuar ndonjë datë se kur do të fillojë punën gjykata e parë ushtarake.

XS
SM
MD
LG