Lidhje

Homazh për përkthyesin e Iliadës, Prof. Gjon Shllaku - 2003-08-17


Duke bërë homazhe para trupit të pajetë të Profesor Gjon Shllakut, intelektualë dhe autoritete të politikës shqiptare e cilësuan vdekjen e tij si një humbje të madhe për kulturën shqiptare.

Helenisti i njohur, Gjon Shllaku, vdiq të shtunën në moshën 80-vjeçare, në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Per herë të fundit ai u pa në publik në mars të këtij viti, gjatë festimit të 80-vjetorit të lindjes, me ç’rast u nderua nga Presidenti Moisiu me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Ishte vetëm 22 vjeç, kur regjimi komunist e dënoi me 101 vjet burg, prej të cilave vuajti 11, nëpër burgje e kampe internimi.

Profesor Shllaku u bë i njohur me përkthimin në shqip të Iliadës së Homerit, si dhe të veprave të Sofokliut, Euripidit, Virgjilit etj. Vitet e fundit, Shtëpia Botuese Gjonlekaj në Shtetet e Bashkuara botoi librin “Duke kapërcyer pragun e shpresës”, një intervistë me Papa Gjon Palin e Dytë, e përkthyer në gjuhën shqipe nga Profesor Shllaku.

Dramaturgu i njohur, Fadil Kraja, tha të djelën se Profesor Gjon Shllaku ishte helenisti më i madh shqiptar dhe një ndër më të medhenjtë në Europë. ”Gjon Shllaku u solli shqiptarëve Hektorin dhe Akilin, Ajaksin dhe Eneun, Antigonën dhe Kasandrën. Ai pruri flakën e madhe të pishtarit të Prometeut, shpatën çlirimtare të Paladinit të Rolandit. Ai solli në gjuhën e bukur shqipe kolosët e letërsisë botërore, figurat me të shquara të gjenisë botërore. Plot 100 mijë faqe të përkthyera nga ajka e letërsisë botërore dhe sidomos nga ajo letërsi, paraprirëse e të gjithë letërsive të tjera - letërsise antike greko-romake”.

Ndërsa nënkryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e pranishme në homazhet e së djelës, tha se Profesor Gjon Shllaku është një figurë që meritonte vemendje më të madhe nga shteti shqiptar. ”Ishte vetë finesa intelektuale, mbase ishte një ndër figurat e fundit të mëdha të Shkodrës. Me ketë rast falenderoj mjetet e informacionit, të gjithë miqtë që morën pjesë në këtë takim të fundit me figurën e madhe të Gjon Shllakut".

Ne prag të 80-vjetorit të lindjes, gjatë një intervite për Zërin e Amerikës, Profesor Gjon Shllaku shprehej se, në përgjithësi, i kishte përmbushur dëshirat e veta krijuese pasi kishte sjellë në shqip ”Iliadën” e Homerit së bashku me tragjeditë e Euripidit e të Sofokliut. ”Nuk e kam mendue se mund të jetoj kaq gjatë. Prandaj i kam dhânë gajret vetes me i krye këto punë përpara se me arritë në këtë kohë. Sepse në këtë kohë, që më duket se janë vitet e mia të tëpërta, që s’i kisha llogaritë, kam hy me bâ fjalorin diakronik latinisht-shqip që âshtë 65 mijë fjalësh”.

Me vdekjen e Profesor Gjon Shllakut, mbi tavoline e tij të punës mbetën me dhjetra dosje në dorëshkrim që, për shumë vite do të tërheqin vemendjen e studiuesve dhe botuesve shqiptarë.

Pas proceseve demokratike, Profesor Gjon Shllaku u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, me urdhërin “Naim Frasheri”, ”Pendën e Artë”, ”Diskun e Argjentë”, si dhe u shpall ”Qytetar Nderi ” i Shkodrës. //az//

XS
SM
MD
LG